Në Pikën Kufitare të Kakavijes drejtues të strukturave të Policisë Kufitare dhe Policisë së Rendit kanë inspektuar punën që po bëhet nga strukturat blu në këtë periudhë me fluks të shtuar të lëvizjes në kufirin me Greqinë.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Dhimitraq Ziu dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionit Sajmir Muçaj bashkëbiseduan me punonjësit e policisë në Kakavije për evitimin e radhëve të pritjes dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike në doganën e Kakavijes.
Gjatë prononcimit për gazetaret, dy drejtuesit e strukturave të Policisë së Shtetit theksuan edhe bashkëpunimin me palën greke për përpunimin e fluksit të shtuar përgjatë periudhës të festave të fundvitit.
“Departamenti I policisë kufitare ka intensifikuar masat gjatë këtij muaji me qëllim përballimin e flukseve migratore që shtohen në fund të vitit. Ky plan masash konsiston në shtimin e sporteleve në ato pika ku pritet ardhja e bashkëatdhetarëve tanë që vijnë këtu që të kalojnë festat me të afërmit e tyre. Janë marrë masa shtesë duke vendosur pranë drejtorive vendore, personel me qëllim monitorimin dhe mbështetjen e veprimtarisë së tyre. Janë intensifikuar shkëmbimet e informacionit me vendet fqinje për lehtësimin e kalimit kufitar si në ardhje si në dalje. Gjatë këtij viti ka pasur një shtim të udhëtarëve me 10 përqind në krahasim me vitin e shkuar” tha Sajmir Mucaj duke u zotuar për një vëmendje të shtuar të autoriteteve ndaj çdo veprimtarie kriminale.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 80 mijë persona kanë lëvizur në të dyja anët e kufirit në doganën e Kakavijës.
Komente










