FIFA ka bërë publike edhe renditjen e muajit nëntor 2024, në bazë të paraqitjeve të skuadrave kombëtare në ndeshjet e fundit. Kombëtarja shqiptare e futbollit mbetet e 65-ta në renditjen globale, teksa Kosova fiton dy pozicione dhe e gjen veten në vendin e 99-të, e para herë brenda 100 skuadrave më të mira. Ndërkohë Argjentina vijon të jetë në vendin e parë.
Kombëtarja shqiptare
Shqipëria e futbollit mban vendin e 65-të në renditjen botërore, kjo sipas renditjes së fundit në FIFA. Me një barazim (Çekia) dhe një humbje (Ukraina) në Ligën e Kombeve, kuqezinjtë u rrëzuan në Ligën C dhe kanë humbur edhe 3.72 pikë në renditjen finale. Renditja më e mirë e Kombëtares ka qenë në 6 gushtin e 2015, kur pas kualifikimit në finalet e Euro 2016 u ngjitëm në pozitën e 22-të në botë.
Renditja e Shqipërisë
Përfaqësuesja e Kosovës
Fitorja 1-0 kundër Lituanisë dhe humbja kundër Rumanisë (në tavolinë) kanë bërë që Kosova të jetë në play-off për ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe përballë do ketë Islandën. Për paraqitjet e mira Dardanët kanë fituar dy pozicione dhe ngjiten në vendin e 99-të, duke qenë brenda 100 ekipeve më të mira në botë për herën e parë në histori.
Dhjetë vendet e para
Argjentina mban kreun, ndjekur nga Franca, Spanja, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika, Italia dhe Gjermania.