Renditja e riskut, Shqipëria më mirë se vendet e rajonit. “Euromoney”: Integrimi rrit besimin

Renditja e riskut, Shqipëria më mirë se vendet e rajonit. “Euromoney”: Integrimi rrit besimin

Avancimi i procesit të integrimit bën që eksperët financiarë të vlerësojnë Shqipërinë si një vend më të sigurt për kreditim dhe për investime.

Ditën e sotme, “Euromoney”, një revistë e specializuar ekonomike ka publikuar renditjen e vlerësimit të riskut, në të cilën Shqipëria është përmirësuar me disa vende, duke pasur një risk të ngjashëm me Serbinë dhe duke lënë pas vendet e tjera të rajonit.

Një e dhënë e tillë do të bëjë më të lehtë huamarrjen për vendin tonë, e njëkohësisht do të rrisë besimin e investitorëve të huaj tek ekonomia shqiptare.
“Rritja afatgjatë e Shqipërisë nuk duket se ka gjasa të stopojë. Vendi po përjeton një prej rritjeve ekonomike më të larta në rajon, me të dhënat zyrtare që konfirmojnë një rritje prej 3,6% në tremujorin e tretë të 2017-s, një rritje që gërshetohet me një sistem politik dhe ekonomik stabël.

Ka ende sfida të rëndësishme përpara, por është e sigurt se me vullnetin e duhur politik dhe me përparimin e reformave integruese, Shqipëria do të mbetet në një trajektore të qëndrueshme rritje”, shkruan revista.

Lexoni në vijim artikullin e plotë të “Euromoney”

Katër vjet pasi u shndërrua në një kandidat zyrtar për integrimin europian, Shqipëria po bën gjithçka që ka në dorë për të hapur negociatat, me shpresën e anëtarësimit brenda vitit 2025.

Qeveria e Kryeministrit Edi Rama, më në fund po zbaton reformën në sistemin e drejtësisë, një kusht thelbësor për hapjen e negociatave. Vetingu i gjyqtarëve, prokurorëve, oficerëve të policisë dhe oficerëve të burgjeve do të largojë nga sistemi të gjithë ata që nuk mund të provojnë integritetin personal dhe profesional.
Kjo bën që të mbizotërojë optimizën mbi mundësinë e hapjes së negociatave në qershor, një zhvillim që do të përforconte trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare.
Këto zhvillime pozitive reflektohen në përmirësimin në renditjen e riskut të borxhit sovran. Shqipëria renditet tashmë e 89-ta, nga 186 vende, me një risk të ngjashëm me kandidaten tjetër për integrim, Serbinë e vendit të 75-të, dy vende mbi Maqedoninë dhe ndjeshëm më mirë se Mali i Zi, i 112-ti.
Shqipëria do të ishte pozicionuar edhe më lart, nëse nuk do të ekzistonin shqetësime për borxhet e këqija në bankat e nivelit të dytë, për klimën e biznesit dhe për borxhin e lartë publik.

Reformimi i kompanive shtetërore, një manaxhim më efektiv i borxhit publik dhe një sistem më i qëndrueshëm tatimor do të ndihmonin për t’u përmirësuar edhe më tej këtë renditje.

Afatshkurtër, vendi mbetet i kërcënuar nga zhvillimet ndërkombëtare. Shqipëria mbetet e ekspozuar nga efektet negative të një luftë të mundshme tregtare transatlantike apo të një krize financiare botërore.

Megjithatë, në mungesë të këtyre skenarëve ekstremë, rritja afatgjatë e Shqipërisë nuk duket se ka gjasa të stopojë. Vendi po përjeton një prej rritjeve ekonomike më të larta në rajon, me të dhënat zyrtare që konfirmojnë një rritje prej 3,6% në tremujorin e tretë të 2017-s, një rritje që gërshetohet me një sistem politik dhe ekonomik stabël.
Kjo qëndrueshmëri ka nxitur përmirësimin e shumë treguesve ekonomikë, përfshi treguesit e rritjes ekonomike dhe ata të politikëbërjes.
Renditja e “Euromoney” merr në konsideratë 15 faktorë politikë, ekonomikë dhe strukturorë. Risku i huamarrjes ka rënë në mënyrë të vazhdueshme për Shqipërinë gjatë viteve të fundit, kjo edhe falë reformave që kanë rritur aksesin në financim, duke përmirësuar klimën e biznesit në vend, siç tregon rritja e ndjeshme në “Doing Business”, renditje e përpiluar nga Banka Botërore.

Me rritjen e qëndrueshme ekonomike, borxhi publik ra nën 70% të PBB vitin e shkuar, pasi preku nivelin e 73% në 2015-n, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Kjo arritje u mundësua edhe falë një ndryshimi ligjor të aprovuar në Kuvend në 2016-n, ndryshim që detyron qeverinë aktuale të ulë nivelin e borxhit vit pas viti, deri në zbritjen nën nivelin e 60%, siç parashikon edhe kuadri makro-fiskal i Mastrihtit për integrimin europian.

Kjo sinjalizon një rritje të pritshme në vlerësimin e kreditit, sidomos pasi “Standard & Poor’s” rriti vlerësimin e Maqedonisë në BB-, ndërsa Shqipëria ka ende një vlerësim më të ulët, në B+.

Vlerësimi i FMN-së, i rishikuar në shkurt, parashikon një rritje ekonomike prej 3,7% gjatë këtij viti dhe një rritje të vazhdueshme në aksesin e financimit, falë normave të ulëta të interesit, inflacionit të ulët dhe rezervave të mjaftueshme të Bankave të Shqipërisë.

Dimitria Rotsika, një eksperte ekonomike e “Piraeus Bank Group”, është një prej disa ekspertëve që kanë kontribuar në studimin për Shqipërinë dhe që ndajnë një përshtypje pozitive për të ardhmen ekonomike të këtij vendi.

“Shqipëria po tregon shenja gjithmonë e më kuptimplota të një momentumi të fortë pozitiv dhe është duke ndërmarrë një numër reformash radikale strukturore, të cilat po i shtrojnë rrugën një modeli të ri të rritjes ekonomike”, thotë ajo. “Ndërthurrja e rritjes së lartë ekonomike në vitet e ardhshme, me konsolidimin fiskal dhe me uljen e nivelit të kredive të këqija do të jetë pozitive në këndvështrimin e integrimit europian të vendit”.

Reforma të mëtejshme do të jenë kyçe për perspektivën europine të Shqipërisë dhe për një akses më të madh në fondet përpara integrimit. Ka ende sfida të rëndësishme përpara, por është e sigurt se me vullnetin e duhur politik dhe me përparimin e reformave integruese, Shqipëria do të mbetet në një trajektore të qëndrueshme rritjeje. /Lexo.al
 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni