Rënia e numrit të nxënësve, opozita akuza qeverisë: Arsimi në vdekje klinike

Rënia e numrit të nxënësve, opozita akuza qeverisë: Arsimi në vdekje klinike

Opozita në kuadër të ditës së parë të shkollës, ka hedhur akuza ndaj qeverisë, duke thënë se arsimi është në 'vdekje klinike'.

Më anë të një deklarate nga Ndriçim Mehmeti, pjesë e Departamentit të Arsimit në PD tha se në 6 vitet e qeverisë së Edi Ramës Shqipëria ka 145 mijë nxënës dhe studentë më pak në bankat e shkollës dhe auditorët e saj dhe më shumë se 200 shkolla të mbyllura.

Edhe ish-deputetja e LSI, Nora Malaj tha se ky vit shkollor nisi me më pak nxënës dhe mungesë në infrastrukturë. Duke uruar një nisje sa më të mbarë për nxënësit, ish-zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj u shpreh se sot ka nisur viti shkollor me 100 mijë nxënës më pak dhe kjo është një këmbanë alarmi dhe klithmë e madhe sipas ish-deputetes.

Deklarata e Plotë e PD: Ky vit i ri arsimor, përtej ngjyrave të propagandës qeveritare, është një tregues tjetër se arsimi nuk është prioritet i qeverisjes së Edi Ramës. Braktisja e premtimeve të bujshme të Rilindjes për ta financuar arsimin me 5 përqind të buxhetit, është arsyeja gjendja në arsim përkeqësohet vit pas viti. Premtimet për financim, ndryshim kurrikulash, depolitizim, modernizim përfunduan si premtimet 3D të Edi Ramës në ERTV, ndërsa realiteti është krejt ndryshe. Sipas aksiomës “Nëse doni të dini të ardhmen e një kombi, shikoni zhvillimin e arsimit”, për fat të keq mund të thuhet se Shqipëria, së bashku me arsimin, janë në vdekje klinike. Në 6 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës Shqipëria ka 145 mijë nxënës dhe studentë më pak në bankat e shkollës dhe auditorët e saj dhe më shumë se 200 shkolla janë mbyllur, sepse nuk ka nxënës për t’u rregjistruar.Të arsimohesh në Shqipëri do të thotë që prindërit të harxhojnë edhe më shumë para se më parë për të njëjtën infrastrukturë arsimor. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se tekstet shkollore janë shtrenjtuar. “Çmimi i librave dhe mjeteve shkollore është shtrenjtuar me 7.6% këtë vit në krahasim me 3% që u rit vitin e kaluar.”- bëhet e ditur nga vetë agjencia e kontrolluar nga qeveria. Librat falas janë një farsë e shëmtuar, denigruese, tallëse, si dhe dëshmi e papërgjegjshmërisë së Edi Ramës dhe ministres së tij të rradhës për arsimin. Librat e propaganduar falas nuk janë të tillë.Pjesa më e madhe e teksteve shkollore, blihen nga prindërit, pasi ato që ofron shkolla janë të keqpërdorura. Të ashtuquajturit libra falas mund të përdoren për riciklim, por jo për mësim. Arsimi është kthyer në një strehë militanësh partiakë, ku mësuesit nuk zgjidhen sipas dijes dhe eksperiencës që kanë, por sipas kontrubiteti dhe lidhjeve me partinë në pushtet. Me urdhër të Ministres së Arsimit ka nisur një valë spastrimi e mësuesve që nuk kanë lidhje me Partinë Socialiste apo akoma më tepër, mbështesin opozitën dhe si të tillë trajtohen si kundërshtarë politkke, duke i larguar nga puna. Vetë Besa Shahini i ka cilësuar këta mësua në Parlament me zë e figurë si “mësues të PD-së”. Qindra prej tyre janë shkurtuar nga puna apo janë transferuar pa asnjë arsye, pa shkresa, vetëm me urdhra verbalë. Është në detyrën e Kryeministrit dhe të Ministres së Arsimit që të japin llogari edhe për disa premtime të tjera të pambajtura.A ekziston më projekti i klasave dixhitale dhe pse nuk u përdorën tabletët?Sa laboratorë të rinj në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të shkencave natyrore janë hapur? Përse në kryeqytete dhe në qytete e mëdha klasat e para dhe gjimnazet vazhdojnë të jenë të mbingarkuara dhe me turne, kur çdo javë propagandohen shkolat e reja apo të rikonstruktura? Përse qeveria ka hequr dorë nga arsimi profesional si prioritet?Pse nuk rriten pagat e mësuesve siç është premtuar dhe pse nuk paguhet më transporti i tyre?  Përse mungojnë ndihmës mësuesit dhe përse, edhe ata që ishin, u shkurtuan, në një kohë kur nevoja për këtë katgori mësuesish është gjithnjë në rritje? Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje tek një tregues i vetëm, buxheti i vogël, i caktuar për arsimin nga qeveria e Edi Ramës. Kjo politikë antikombëtare me arsimin po e dëmton dhe rrezikon të lërë pasoja të rënda në arsimin kombëtar. Prandaj, ndalimi i kësaj marrëzie është emergjencë dhe detyrë kombëtare për çdo prind. Na duhet që të hapim një perspektivë të re për fëmijët tanë, për mësuesit, për të ardhmen e kombit dhe shoqërisë sonë duke përkrahur alternativën e Partisë Demokratike për zhvillimin e arsimit, duke nisur me një mësimdhënie cilësore e dinjitoxe nga klasa e parë e deri në arsimin e lartë.

Deklarata e plotë e LSI:
Sot është një ditë e veçantë për vendin tim. Sot të gjithë fëmijët dhe të rinjtë fillojnë vitin e ri shkollor 2019-2020. Sot, fillon beteja për të realizuar ëndrrat e fëmijëve, që ata një ditë të bëhen të zot për të ndërtuar të ardhmen e tyre në ketë vend të bukur e të bekuar , që është Shqipëria.  Urimin më të veçantë në këtë ditë jua dedikoj vogëlushëve të klasave të para dhe prindërve të tyre. Të dashur vogëlushë, duajeni shkollën se është një vend i bekuar dhe mësoni pa fund, gëzoni dhe punoni sa më shumë, se vetëm dija është pjesa e investimit më të madh që familja mund të bëjë për ju dhe që shoqëria ua ka borxh. Duajeni librin dhe mbajeni mirë atë, se libri është kulturë dhe dije. Edhe nëse keni “libra në përdorim”, ju fëmijë të dashur, librin duhet ta vlerësoni si gjënë më të shtrenjtë dhe thesarin më të çmuar , që ndër vite do ju bëjë të ndjeheni krenarë. Sot ,shkolla filloi, me 100 mijë nxënës më pak.  Kjo për secilin prej nesh është një klithmë e madhe dhe kambanë alarmi, që tregon se të rinjtë dhe familjet shqiptare po braktisin Shqipërinë.  Emigrimet masive të shqiptarëve jashtë vendit, si dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që në këtë vit shkollor të ketë më pak fëmijë, që ulen në banka. Investimet në arsim sot, në fillimin e vitit shkollor, janë ende nga më të ultat në rajon. Qeveria është shumë larg asaj që ka shkruar në strategjinë e arsimit parauniversitar, për një GDP 4 për qind për arsimin shqiptar.  Ndonëse kemi ndërtime të reja, jemi shumë larg asaj që është premtuar dhe sërish, shkollat me turne edhe këtë vit shkollor, përsëri janë pjesë e sistemit.  Të nderuar mësuses, siç thote Arstoteli: “Prindi është ai që e sjell fëmijën në jetë, po mësuesi është ai që i besohet integrimi nëpërmjet edukimit dhe formimit të tij në shoqëri”. Ju keni një mision të madh kombëtar përpara, për edukimin dhe mirëarsimin e fëmijëve dhe të rinjve. Ndonëse sot, gjendeni në udhëkryqin e një sistemi që ende nuk ka kornizën e edukimit të përfunduar, ndonëse ndodheni përpara sfidave të një pune ende jo të mirëpaguar, ndonëse ndodheni përpara pasigurisë dhe mosmarrjes së një kualifikimi me standarde, ju bëjeni detyrën tuaj me devocion, si atdhetarë që jeni, se vetëm kështu mund ta bëjmë këtë vend të jetueshëm për fëmijët tanë, vetëm kështu mund t”i themi stop hemoragjisë së braktisjes së vendit, vetëm kështu mund të mbrojmë dhe të kultivojmë vlerat e gjuhës dhe kombit, e cila sa po vjen e degradohet, vetëm së bashku mund të ndalim të keqen që Shqipëria të jetë vendi i shqiptarëve e të mos braktiset nga të rinjtë.  Në këtë ditë të parë të fillimit të viti të ri akademik nuk gjej fjalë për t’ju falenderuar e shprehur mirënjohjen për të gjithë ju, misionarët e paqes dhe edukimit. Përkulemi me respekt dhe nderim për të gjithë ata mësues e mësuese patriotë, ndër vite, që sot janë në pension, po që mësuan brezat se rruga e dijes është e mundimshme por jo e vështirë dhe jo e pamundur. Mirënjohje për të gjithë ju mësus dhe mësuese, nga Vermoshi në Konispon, që profesionin e mësuesisë e keni kthyer në mision, për të mësuar dhe edukuar kapitalin më të çmuar, që janë fëmijët dhe të rinjtë. Sot kemi detyrë, që për ju, të gjithë papërjashtim, të punojmë që në shoqëri të gëzoni statusin që meritoni dhe vlerësimin për punën tuaj, që ende është larg vlerës së pagesës dhe motivimit tuaj.Të nderuar dhe të vlerësuar prindër! Ju jeni të bekuar që keni sjellë në jetë këta fëmijë dhe bashkë me ta, po përjetoni periudhën më të mrekullueshme e sfidante të prindërimit. Në ditën e sotme ju ftoj që të bëhemi bashkë e të mos rreshtim së punuari për të ndihmuar që fëmijët tanë dhe tuaj të rriten me fëmijëri të suksesshme dhe rini të bukur, ku mësimi dhe procesi mësimor të jetë sfida e përbashkët e jona, për të mos pasur më shkolla me turne, mjedise shkollore pa mjete mësimore, shkolla të braktisura, ende tekste mësimore me gabime shkencore dhe gramatikore, mjedise hidro-sanitare jashtë standardit, klasa të mbi populluara, mësues të pamotivuar dhe një shkollë që nuk realizon misionin e saj.  Le të jemi bashkë të gjithë dhe të sfidojmë të keqen për të mbjellë të mirën, dritën dhe dashurinë. Të realizojmë reformën e plotë në arsim, ku të garantojmë dhe të krijojmë mundësi të barabarta për çdo të ri dhe të re që të realizojë një arsimim cilësor, të lidhur me tregun e punës dhe që garanton punësim, duke dhënë frymëmarrje dhe vlerësuar edhe arsimin profesional, si një nga shtyllat kryesore të sistemit të edukimit. Sot, arsimi duhet të jetë një mision kombëtar, ku politika të mos ta përdorë si propagandë dhe fasadë, po ku të gjithë së bashku të realizojmë sfidën e mijëvjeçarit, duke e vendosur arsimin si kryefjalë e çdo investimi. Fillim të mbarë vitit shkollor 2019. E ardhmja i përket fëmijëve dhe të rinjve! Gëzuar!

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu