Sfida demografike po ushtron presion mbi ekonominë shqiptare. Kështu u shpreh në konferencën me BERZH, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, teksa thekson se këto trende negative pritet të vijojnë.

“Vendi ynë pasqyron shumë nga tendencën e plakjes së shpejtë të popullsisë, të kombinuar me largim të konsiderueshëm të të rinjve dhe të popullsisë në moshë pune. Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, këto dinamika pritet të vazhdojnë dhe të intensifikohen në vitet në vijim, duke çuar në përmbysjen e piramidës demografike. Transformimi i shpejtë demografik po riformëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare”, tha Sejko.

Në Shqipëri tha Sejko popullsia po ulet me shpejtësi ndërsa mosha mesatare vijon të rritet.

“Popullsia ka ardhur në rënie të vazhdueshme, ndërkohë që mosha mesatare po rritet me shpejtësi. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2023 evidenton rreth 2.4 milionë banorë, afërsisht një e treta më pak krahasuar me vitin 1990. Ndërkohë, mosha mesatare ka arritur pothuajse 43 vjeç”, tha Sejko.

Emigracioni në rritje tashmë është kthyer në sfidë serioze dhe që kërkon përgjigje thotë guvernatori.

“Emigracioni, dikur i konsideruar si faktor lehtësues për papunësinë dhe varfërinë, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një sfidë strukturore. Rritja ekonomike e qëndrueshme, nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorë kyç, i kanë bërë më të dukshme pasojat afatgjata të ndryshimeve demografike si për bizneset, ashtu edhe për familjet”, tha Sejko.

Këto tregues demografik negativ mund të ndikojnë negativisht si tek normat e interesit ashtu edhe tek rritja e inflacionit.

“Pavarësisht kësaj arritjeje, prirjet negative demografike në Shqipëri pritet të jenë të qëndrueshme. Studimet tona tregojnë se këto prirje ka të ngjarë të ushtrojnë presion në rënie mbi normat reale të interesit. Ky mjedis kufizon efektivitetin e politikës monetare konvencionale, pasi normat e ulëta të interesit u lënë bankave qendrore më pak hapësirë për të stimuluar ekonominë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet demografike mund të shkaktojnë ndërlikim edhe të dinamikave të inflacionit. Hulumtimet tona tregojnë se rritja e normës së pjesëmarrjes në tregun e punës vjen si pasojë e pagave më të larta”, tha guvernatori.

Për të përballuar sfidën demografike guvernatori tha se nevojitet reformim i skemës së pensioneve e deri tek investimi në tregun e punës.

“Këto reforma kërkojnë guxim dhe ndershmëri. Ato duhet të trajtojnë reformimin e sistemeve të pensioneve, modernizimin e tregjeve të punës, hartimin e politikave realiste të migracionit dhe investimin për sigurimin e plakjes së shëndetshme të popullsisë. Të gjitha këto nënkuptojnë përqafimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, brezat e rinj duhet të mbeten në qendër të vendimmarrjes ekonomike”, tha Sejko.

Të gjitha këto zhvillime tha guvernatori gjejnë përshkrim edhe në raportin e tranzicionit të BERZH, 2025-26 “Brave old World”