Ilir Proda u largua nga drejtimi i Policisë së Shtetit pa i bërë 1 vit e 5 muaj në detyrë, i pari drejtor i përgjithshëm i bluve që zgjidhej me konkurs, duke kaluar disa faza të rëndësishme të procesit të përzgjedhjes. Por mandati 5-vjeçar, edhe pse jo më me emërim direkt, pas ndryshimeve të ligjit të Policisë së Shtetit në 2024-ën, sërish nuk solli lavdinë për ta çuar deri në fund. Nëse qeveria e argumenton largimin e tij nga detyra për shkak të incidentit te “Vila 31” gjatë protestës së opozitës të shtunën, duke mos garantuar rendin dhe sigurimin e jetës së artistëve, qasje të ndryshme vijnë nga palë të tjera.
Opozita e sheh largimin e Ilir Prodës pasojë të presionit nga protestat e javëve të fundit, të cilat më shumë se kurdo herë kanë rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejt efektivët e policisë me hedhje molotovësh, fishekzjarrësh dhe gurësh. Fakt është që të gjithë drejtorët e përgjithshëm të policisë që prej 2013-ës janë kundërshtuar me forcë prej PD-së. Kritikës nuk mund t’i ndahej edhe Sokol Bizhga, i cili për herë të dytë është komanduar në krye të bluve. Deputeti në hetim nga SPAK për dhunën në protestën e së shtunës, Klevis Balliu, tha se duhet përmbysur sistemi në të cilin krimi bashkëpunon me pushtetin.
Emri i Prodës, akoma pa u emëruar në detyrë, ndërsa gara ishte e hapur në vjeshtën e 2024-ës, u lidh me krimin e organizuar nga opozita dhe qarqe të ndryshme mediatike. Nga lidhjet e supozuara me grupet kriminale të Elbasanit, deri dyshimet e sekuestrimit të celularit nga SPAK. Përgjatë kësaj kohe në detyrë, gjithsesi, Ilir Prodës, përpos të tjerave, i faturohet si meritë ekstradimi i dhjetëra shqiptarëve të Dubait, duke e thyer njëherë e mirë mitin e oazit.
Gara për drejtorin e ri të përgjithshëm
Për herë të dytë, kryepolici do të zgjidhet me konkurs, bazuar në ligjin e Policisë së Shtetit dhe rregullave të Ministrisë së Brendshme për procedurën, të miratuara më 2 shtator 2024. Ministria e Brendshme ka detyrë për hapjen e garës, e cila hap thirrjen e shprehjes së interesit me një afat prej 7 ditësh, përfshirë edhe ditët e pushimit. Aplikimet bëhen online ose më postë, dhe emrat e kandidatëve publikohen pas përfundimit të këtij afati. Brenda 10 ditëve të tjera pune, një Komision i Posaçëm i ngritur, i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër si kryetar, i caktuar nga ministri i Brendshëm, dhe 2 anëtarët, sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.
Në fund të këtij procesi, harton listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet. Faza e radhës është ajo e intervistimit, ndërsa kandidatët njoftohen të paktën 3 ditë para për ditën e seancës dëgjimore, ku shpaloset platforma e secilit me nga 20 minuta në dispozicion, shtesë parashikohen edhe pyetje nga komisioni. Pas përfundimit, ky komision ka afat 48 orë për të nxjerr rezultatet me pikëzimin e kandidatëve. Jo domosdoshmërish i pari i renditur bëhet drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ligji thotë që njeri prej kandidatëve të pikëzuar, i konsideruar më i përshtatshëm për detyrën, t’i propozohet nga ministri i Brendshëm, Këshillit të Ministrave për emërimin e tij.
Me këtë procedurë ligjore, në varësi të kohës që Ministria e Brendshme hap thirrjen për garën, brenda muajit mars, Policia e Shtetit pritet të ketë drejtorin e ri të përgjithshëm.
Komente








