ROME - Autoritetet italiane dhe ato greke kanë konfirmuar numrin zyrtar të viktimave deri tani në tragetin e djegur, “Norman Atlantic”, duke theksuar se trupit të pajetë të grekut 62 vjeçar të zbuluar ditën e djeshme, i janë shtuar edhe 4 viktima të tjera të zbuluara sot dhe të evakuuara nga bordi i tragetit.
 
Ka qenë Kryeministri italian Matteo Renzi i cili në një konferencë për shtyp ka theksuar se 4 viktimat e zbuluara ditën e sotme, janë gjetur në bordin e anijes ndërsa janë evakuuar nga ana e trupave të shpëtimit.
 
Renzi ka vlerësuar punën e bërë nga trupat e shpëtimit duke nënvizuar se falë punës së tyre është evituar një tragjedi e përmasave shumë më të mëdha, duke parë 478 personat në bord. 
 
“Sot janë zbuluar 4 viktima në bordin e anijes dhe ata janë evakuuar. Në harkun kohor të pak orëve shpresojmë të përfundojmë operacionin e shpëtimit. Operacioni do të vazhdojë deri në shpëtimin e të gjithë personave. Operacioni i mbushur me pasion, dedikim dhe vendosmëri ka bërë të mundur që të mos ndodhë një kasaphanë e vërtetë.
Përballë bregut të Pugliës, ku ndodhet Norman Atlantic në avari, do të fryjë erë deri 60-70 km/orë me dallgë që arrijnë deri në 3-4 metra.” ka theksuar shefi i qeverisë italiane.
 
Edhe Ministri i Marinës së Greqisë, Miltiadis Varvisiotis ka konfirmuar këtë fakt duke nënvizuar se 4 trupat e pajetë janë gjetur në bordin e anijes “Norman Atlantic” ndërsa janë nxjerrë më pas nga trupat e shpëtimit.

“Katër trupa të tjerë të pajetë janë gjetur në bordin e anijes, dhe janë rikuperuar në ujë nga ana e trupave të shpëtimit” është shprehur Varvisiotis për mediat greke.

Fillimisht lajmin e katër viktimave të tjera në bordin e tragetit italian e bëri të ditur një pasagjer turk, i cili mbërriti në portin e Barit, së bashku me 49 persona të tjerë të shpëtuar nga “Norman Atlantic”. Ai tregoi se kishte parë me sytë e tij, dy burra dhe dy gra, të pajetë në garazhdin e kamionëve të ullirit, aty ku dhe dyshohet të ketë rënë zjarri.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)