Kryeministri Edi Rama ka replikuar me organizatën ‘Reporterë Pa Kufij’ lidhur me matjen e transparencës dhe lirinë e medias. Diskutimi merr shkas nga një raport i fundit i hartuar nga ‘Reporterë Pa Kufij’ që e rendisin Shqipërinë në vendin e 83, duke pësuar rënie krahasuar me një vit më parë për lirinë e shtypit.

Postimi i Ramës vjen si përgjigje e një komenti të kësaj organizate pasi kryeministri publikoi raportin e SIGMA-OECD ku MIA (Agjencisë për Media dhe Informim) vlerësohej për shërbimin cilësor ndaj mediave dhe publikut.

“Ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipërisë në vendin e 83-të (-3) në Indeksin e vitit 2026 pasqyron sulme politike, abuzim me zbatimin e ligjit, transparencë të ulët të medias dhe kërcënime ndaj gazetarëve. Ka një rrugë përpara...”, ishte replika e Reporterë Pa Kufij.

Rama i përgjigjet duke thënë se një krahasim me raporteve do të ndihmonte për të kuptuar të gjithë panoramën e këtij diskutimi pasi ka hendeqe mes vlerësimeve që vijë nga organizata të ndryshme.

“Nuk thashë kurrë që ju e matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që të lexoni raportet e atyre që e bëjnë vërtet, dhe ta bëni këtë në mënyrë profesionale dhe objektive? Mund t'ju ndihmojë, sepse dalin kontradikta të rëndësishme midis vlerësimeve tuaja dhe të tyreve kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis qeverisë, medias dhe publikut në një vend të lirë si Shqipëria, ku, ndryshe nga ajo që pretenduat dikur, dhe më shumë se një herë, Agjencia e Informacionit për Median duket se ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informacionit. Kaq është gjithçka”, shkruan Rama.

Rama e konsideron raportin e hartuar nga ‘Reporterë pa Kufij’ si jo të saktë, ndërsa kjo organizatë i thotë kryeministrit se nuk masin komunikimin qeveritar, por vetëm lirinë e medias.