Zgjedhjet e 25 prillit 2021 sollën debate në emisionin "Repolitix", sidomos ne lidhje se çfarë alternative do të ofrojë opozita për të fituar këtë garë elektorale. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se  opozita duhet të vijë më një program konkret të shkruan në letër që të paraqesë një alternativë të re për shqiptarët dhe se duhet thyer njëherë e mirë koncepti se politika është pronare e qeverisjes.

"Opozita ka një histori opozitare të jashtëzakonshme nga 2001-2005, me një program të shkruar dhe trup elektorale shume konkurrente në atë kohë dhe opozita duhet të ndjekë të njëjtin shembull duke u bërë konkurrente pa humbur identitetin e vet. Ajo që mendoj unë është se duhet thyer koncepti që politika është pronare e qeverisjes. Politika nuk është virtuale por është raport njerëzor dhe duhet diçka konkrete e shkruar, një alternativë. Opozita duhet të ketë kohezion mes vetes.", tha Mediu.

Nga ana tjetër partitë e reja që kërkojnë të krijojnë një pol të tretë në qeveri për të rrëzuar partitë e mëdha duan ndryshim të sistemit politik, që për anëtarin e Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj do të thotë hapje e plotë e listave dhe jo si tani si dhe kufizim i rolit të kryeministrit. Topollaj tha se partitë e reja me ato mandate që mund të fitojnë duhet që të kushtëzojnë disa reforma që do të sjellin ndryshim të këtij sistemi politik dhe jo vetëm rotacioni politik.

"Ne jemi një opozitë e ndryshme që nuk mjaftohemi vetëm tek ideja e rotacionit. Ne mendojmë se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim shumë të madh, për një ndryshim rrënjësor të sistemit politik. me votat që ne do marrim së pari duam të rrëzojmë këtë qeveri dhe së dyti duam që të bëhemi promotorë të fillimit të ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. Mandate tona do i përdorim për të realizuan hapje të plotë të listave, kufizim të rolit të kryeministrit, pra kushtëzim të disa reformave", tha Topollaj.

Për juristin Plarent Ndrecaj një gjë është e sigurt, që kjo opozitë nuk mund të vijë në pushte duke sharë dhe ofenduar, por duke thënë të vërtetën dhe t'i bëjë gjërat ndryshe nga sa janë bërë deri më sot.

"Opozita nuk duhet të ndërtojë strategjinë e fyerjes për të marrë pushtetin. Opozita ka për të thyer këmbët pasi nuk fitohet ndeshja duke thënë i poshtër, hajdut, qelbësirë. Ndeshja fitohet duke thënë të vërtetën dhe se si e bën ti ndryshe", tha Ndrecaj