FIERZE/ PUKE- Specialistët e hidrocentralit të Fierzës bëjnë me dije se po veprohet në përputhje me protokollet për menaxhimin e situatave hidrike, duke kryer balancimin e prurjeve dhe monitorimin e vazhdueshëm të situatës, veçanërisht në rast se shkrirja e borës në malet e kaskadës ndodh me ritme të shpejta.

Sipas specialistëve, niveli aktual i shkarkimeve është brenda kuotave të sigurta dhe nuk paraqet rrezik për situata të ngjashme me ato të vitit 2010.

Ata theksojnë se shkarkimet deri në 1500 metër kub për sekondë janë të përballueshme nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, pa shkaktuar përmbytje masive ne ultesiren e Shkodres.

Aktualisht, në Koman dhe në Vau të Dejës shkarkimet po vijojnë respektivisht me rreth 1200 dhe 1300 metër kub për sekondë.

Ndërkohë, prurjet natyrore kanë rënë ndjeshëm krahasuar me ditët me reshje intensive, por po kompensohen nga shkarkimet e kontrolluara të hidrocentralit të Fierzës, në funksion të ruajtjes së balancës së kaskadës.

Autoritetet sigurojnë se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se çdo veprim po ndërmerret për të garantuar sigurinë e zonave të banuara.