REPORTAZH/ Bie pluhuri i 'harresës' në shtëpinë e at Gjergj Fishtës

Në këtë banesë të vogël e cila ndodhet në hyrje të fshatit Fishtë të Lezhës ka jetuar për disa vite personaliteti i madh i letrave shqipe At Gjergj Fishta. I ndërtuar më shumë se një shekull më parë, këtë objekt monument kulture e kishte mbuluar pluhuri i harresës, madje duke rrezikuar dhe rezistencën e saj.

Pas tre dekadash kërkesash, debatesh, dhe përpjekjesh më në fund shtëpia ku ka jetuar i madhi At Gjergj Fishta ka nisur të restaurohet. Ndërhyrja po realizohet falë një donacioni me vlerë afro 6 milionë lekë të reja të siguruara nga Ministria e Kulturës. Punimet po ecin me ritme të shpejta dhe pritet të përfundojnë përpara afatit 6 mujor të përcaktuar.

“Projekti parashikohet të zgjasë 6 muaj, por me këtë ritëm punimesh, brenda tre muajsh do të marrë fund I gjithë procesi I punimeve. Faza e parë ka përfunduar, pastrimi dhe heqja e materialeve të dëmtuara, të konsumuara dhe do të kalojmë te faza e konsolidimit të mureve. Muret janë relativisht  në gjendje të mirë, një pjesë e vogël ka shembje,  por e gjithë struktura ka nevojë për konsolidim. Pas konsolidimit do vijojë restaurimi. Gjithçka do të ruhet autentike si në objektin fillestar dhe fazat e para ndërtimore të tij. Njësoj si në periudhën kur Fishta jetonte këtu në mënyrë periodike për të takuar të afërmit e tij”, tha Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore Lezhë.

Pas përfundimit të restaurimit, banesa do të ketë edhe element muzeal të periudhës së poetit. Projekti përfshin ndërtimin e një itinerari të rrugëtimit, fizik e shpirtëror në vendet ku ka shërbyer e qëndruar At Gjergj Fishta.

"Duke qenë se Ministria ka projektuar itinerarin Fishtian, nga  trualli ku ka lindur, pasi të ndërtohet muzeu atje, është pika e parë ku nis itinerari, nga atje vijmë këtu që është shtëpia ku ka jetuar dhe vijojmë në drejtim të qytetit të Shkodrës, vendi ku ka jetuar dhe punuar pa përjashtuar një pikë të rëndësishme, Kolegjin e Kuvendin Franceskian", tha Zefi.

Edhe pse e vonuar ndërhyrja për restaurimin e shtëpisë së Fishtës është pritur mjaft mirë nga pasardhësit e tij të cilët nuk i fshehin emocionet. 80-vjeçari Gjergj Ndoka thotë se pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në këtë banese, teksa tregon kohen kur qëndronte dhe Fishta.

"Për ne është një lavd, një krenari e madhe. Sepse I kanë mohuar mundin e djersën atij njeriu. 30 vjet nuk është bërë asgjë për të, vetëm një bust. Vijnë turistët dhe na vjen turp të themi që kjo është shtëpia e Fishtës. Me të ardhur turp, turp!", tha Zefi.

Pas restaurimit banesa ku ka jetuar Fishta do tu kaloj nën administrim pasardhësve të tij të cilët e kanë me certifikatë pronësie, ndërsa mbetet e paqartë mënyre se si do funksionojë më të ardhmen.

"Objekti është pronë e familjarëve dhe u kalon atyre, pas përfundimit të punimeve do të vendosin familjarët dhe ministria për administrimin e objektit", tha Zefi.

Deri pak vite më parë Fishta njihej vetëm si mbiemri i poetit At Gjergji.  Por sot është kthyer në një destinacion mjaft të pëlqyer nga vendas e të huaj. Një sipërmarrje agroturizmi e ngritur 10 vite më parë i dha famë kësaj zonë e cila ndodhet 25 km larg qytetit të Lezhës.

Investimeve të privatit i është përgjigjur pozitivisht edhe shteti. Së fundmi është rikonstruktuar rruga që lidh këtë zonë me superstradën Lezhë-Shkodër, si dhe është bërë zgjerimi i kryqëzimit në superstradë i cili ishte kthyer në burim aksidentesh.

Në Fishtë çdo gjë është si kudo tjetër, por me njerëz që punojnë shumë. Si vendbanim ky fshat përmendet në periudhën e mesjetës, ndërsa banoret janë kryesisht të ardhur.

"Në bazë të gojëdhënave thuhet se në fshat banorët autoktonë janë larguar, janë vendosur kolonët nga Shijaku I Durrësit, të besimit mysliman që jetuan deri në vitin 1912. Për sa i përket ardhjes së familjeve mirditore, katolike, ato përkojnë me vitet 1770", u shpreh Paulin Zefi.

Në regjistrin e gjendjes civile Fishta përbëhet nga 900 banor, por aktualisht jetojnë pak më shumë se gjysma e tyre, pasi pjesa e tjetër janë në emigracion.

"Në baze të regjistrit të 2011, pjesa më e madhe jetojnë jashtë vendit. Fishta shquhet që një pjesë e familjeve të saj jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithsej në Fishtë janë rreth 450 banorë, por në regjistër janë të regjistruar rreth 900 banorë. Por siç thashë janë larguar në emigracion", tha Zefi.

Sipas të dhënave Fishta e Lezhës vizitohet nga më shumë se 100 mijë turist vendos e të huaj në vit, por me restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës pritet që numri i vizitoreve të rritet.

I.K/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toni: 29/06/2020 04:26

    Ae keni nxjerr lejen e rikonstruktimit se Po vje aj

    Përgjigju
  • Gega: 28/06/2020 18:27

    Pse nuk e thoni qe ishin vet pasardhesit e Fishtes, qe me pretendimet e tyre per pronesine kan qene pengesa per restaurimin e ketij objekti... Dhe prap duket se nuk eshte zgjidhur ky problem, mbasi objekti edhe mbas restaurimit me fondet e shtetit do u kthehet pronarve....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit