Lufta për kazanët e mbeturinave që bashkia e Tiranës u ka shpallur romëve, e merr përgjigjen pikërisht te venddepozitimi i tyre në Sharrë. Përveç kamionëve të firmave të pastrimit që shkarkojnë mbeturinat e qytetit në Sharrë, të tjerë dalin që aty të ngarkuar me mbetje të riciklueshme dhe i dërgojnë në një pikë grumbullimi, të hapur së fundmi, disa metra më tutje. Që aty ata i nënshtrohen një tjetër procesi ndarjeje, paketohen, ngarkohen sërish në kamionë të mëdhenj dhe dërgohen drejt fabrikave të riciklimit të plastikës. Dhe pas gjithë këtij biznesi, dyshohet se qëndron një firmë, e cila ka lidhje të afërta me kryetarin e bashkisë Lulzim Basha, i cili ditët e fundit u ka hapur luftë romëve që mbledhin plastikën nga kazanët e qytetit.

Ajo e ka rrethuar të gjithë këtë sipërfaqe prej mijëra hektarësh dhe përzuri të gjithë romët që më parë punonin secili për hesap të vet për ndarjen e mbeturinave. Romët që banojnë aty, por edhe banorë të zonës na tregojnë se gjërat kanë ndryshuar shumë. "Më parë edhe unë punoja aty, punoja natën se nuk doja të më shihnin të tjerët dhe na dilte mirë. Fitonim 15-20 mijë lekë (vjetra) në natë. Mbeturinat i çonim te këto pikat e grumbullimit që kishim rreth e rrotull. Por që kur erdhi kjo firma e re ndryshuan gjërat. Ajo e rrethoi të gjithë zonën, vuri polici në hyrje, na largoi të gjithëve dhe zhduku edhe këta pikat e grumbullimit që ishin këtu dhe hapi pikën e vet atje matanë. Unë nuk punoj më se nuk ia vlen të punosh gjithë ditën si skllav për 8 mijë lekë (të vjetra)" - na tregon njëri prej banorëve të zonës që ka punuar më parë aty. Ndërkohë që një grua tjetër që takojmë na thotë se ata i shfrytëzojnë në maksimum. "Të punosh me këtë vapë 8 orë pa pushim. Nuk na lënë as me pi ujë apo të hamë bukë. Na thonë po s'deshe ik. Po ne s'kemi se çfarë të bëjmë" një banor tjetër që takojmë tek kampi i romëve, na thotë se ai vetë nuk punon, pasi i duan të rinj. "Unë nuk punoj se më kanë thënë se je i vjetër, por kam djalin që më punon çdo ditë aty. Tetë orë në ditë dhe paguhet me 8000 lekë të vjetra dita. Nuk kemi ç'të bëjmë se nuk kemi mundësi tjetër", - na thotë ai.

Por ka edhe nga ata, që, pasi e kanë provuar punën me pagesë brenda fushës së Sharrës, shumë shpejt iu janë kthyer sërish kazanëve të mbeturinave. Ata pohojnë se nuk do të pranojnë të bëhen skllevër, ndaj më mirë do të vazhdojnë ta sigurojnë bukën nga kazanët e mbeturinave, pavarësisht se disa herë kanë rënë pre e dhunës së ushtruar nga policia bashkiake. "Unë punoja aty edhe më parë, kur na përzuri bashkia, dhe erdhi kjo firma e re. Por pastaj e lashë dhe dola të kërkoja nëpër kazanët e mbeturinave. Aty të shfrytëzojnë, të marrin shpirtin dhe nuk të paguajnë. Ata thonë që të bëhemi skllevër të tyre, por unë nuk kam pse bëhem skllav i kunatit të Lulzim Bashës", - na thotë ai, megjithëse pohon se vetëm dy ditë më parë, policia bashkiake e ka shoqëruar në furgon dhe i ka marrë edhe motorin pasi e kapën duke mbledhur mbeturina nëpër kazanë. Si ai janë shumica e romëve që jetojnë në këtë kamp.

Biznesi i ri
Ndërkohë pak metra larg landfillit të Sharrës, është ngritur një kapanon i madh, ku grumbullohen të gjithë mbetjet plastike që i vijnë nga Sharra. Edhe këtu është e punësuar një skuadër e tërë njerëzish, që punojnë me turne. Këtu ata (mbeturinat që iu vijnë nga Sharra) seleksionon sipas llojit dhe tipit, ngarkohen në kamionë të mëdhenj (që janë me targa të huaja) dhe dërgohen më pas në fabrikat e riciklimit. Punonjësit janë kryesisht nga Bathorja apo Kamza. Firma u siguron transportin që nga shtëpia dhe anasjelltas. Edhe këta paguhen 800 lekë në ditë. Është pikërisht kjo firmë që është ankuar se romët që ata vetë i përzunë nga Sharra, po zbraznin të gjithë plastikën nga kazanët e mbeturinave dhe asaj, në Sharrë, nuk po i shkonte më asgjë. Ndaj dhe bashkia e Tiranës ka nisur së fundmi aksionin që i ndalon romët të mbledhin mbeturina nëpër kazanët e qytetit.

(ek/shqiptarja.com)