TIRANE- Ahmet Todori, që prej 10 ditësh është i shtruar në dhomën nr.2 të kardiologjia, te spitali i Sëmundjeve të Brendshme. Ai është i irrituar dhe i pakënaqur me të gjithë stafin për shkak të mungesave të shumta që ka në spital. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, dhoma ku ai është shtruar është në gjendje skandaloze. Një pjesë e mirë e saj, ngjitur me krevatin ku shtrihet, është nxirë e gjitha nga lagështira dhe myku. Madje ai, për ta pastruar paksa ajrin e rëndë të dhomës së tij, mban vazhdimisht të ndezur një ngrohëse të vogël që nuk mjafton të thajë lagështirën që ka pushtuar këtë dhomë. E njëjta situatë është edhe në një cep tjetër të dhomës, poshtë dritares. Edhe këtu i gjithë muri është nxirë për shkak të lagështirës. “Këtu ka qenë kaloriferi që ishte i lidhur me sistemin ngrohës të spitalit, por tani nuk funksionon më asgjë dhe ai është hequr”, - na tregon pacienti Ahmet Todori, i cili na shpjegon më tej se me origjinë është nga Kukësi, por banon prej vitesh në rrethinat e Tiranës. “Ja shikoje si është dhoma, - na thotë ai, duke na treguar faqen e murit, e cila është pushtuar nga lagështira. – Unë unë jam i shtruar që prej 10 ditësh. E imagjinon dot se si është të jesh i detyruar të thithësh 10 ditë me radhë këtë ajër, që vetëm ajër nuk është. Të bllokon mushkëritë. Ja, kam vënë edhe këtë reflektorin për ta tharë pak, por, nuk bën punë”, - na tregon më tej Todori. Ndërkohë që në të njëjtat kushte të rënda ndodhet edhe banjoja që është brenda dhomës, por që Ahmeti thotë se për fat të mirë nuk mungon asnjëherë uji. Ndërkohë që ai është i kënaqur edhe sa i përket ushqimit si dhe ndërrimit të çarçafëve që sipas tij janë brenda standardeve.
Ilaçet
Por jo vetëm kushtet e dhomës. Një problem i madh për këta të sëmurë mbetet edhe mungesa e medikamenteve që ata duhet të marrin çdo ditë, për të mbajtur nën kontroll ritmet e punës së zemrës. “E shikon atë tabelën që këta kanë vënë aty, dhe ku shënojnë ilaçet që duhet të marr?, - na thotë ai dhe tregon recetën e varur në mur. – Këta vetëm aspirinën të japin. E ke parasysh, një kokërr aspirinë e ndajnë në katër pjesë, pasi aq është norma që duhet të marr. Por aspirina nuk kushton dhe mund ta blej edhe vetë, por këta ilaçet e shtrenjta si t’ua bëj që këta nuk i kanë”, - na thotë më tej ai. Ahmeti na tregon se madje këtë javë ka debatuar me personelin, pasi nuk i sigurojnë të gjithë kurën që i duhet. “Këtë recetën që e varin në mur dhe ku ata shënojnë ilaçet që më duhen mua, duhet të mi sigurojë spitali. Por këta, dy ditë t’i japin, katër ditë duhet t’i blesh vetë. Ja ta zëmë ky ilaçi që është i fundit në listë, fragmarinë, është hollues gjaku, unë e blej vetë. E kam dy herë në ditë dhe kushton 500 lekë të reja doza, por unë nuk kam kaq shumë para. Madje për këtë kam bërë sherr edhe me infermierët, por më thanë se nuk ka fare në spital. Javës tjetër kishte, por këtë javë nuk ka fare në farmaci. Kështu më thamë. Dhe unë jam i detyruar ta blej vetë”, - na tregon i sëmuri me zemër.