Reportazh në fshatin e
çuditshëm të Ilir Metës

Reportazh në fshatin e<br />çuditshëm të Ilir Metës
Ai foli për fshatin e tij në ato pak fjali kur sapo u votua si President i ri i Republikës në Parlament. Në një moment ndoshta spontan siç edhe vetë tha në një fjalim të papërgatitur gjuha shkoi në fshatin e tij të lindjes.

Të veshur me këtë kuriozitet vendosëm që në Tiranapost.al të sjellim një reportazh për fshatin e Presidentit. Ora 9:00 nisja nga Tirana. Pyetëm për vendin dhe na thanë se rruga për në Çepan ishte e largët.

Asnjë gazetar nuk kishte shkuar deri tani! Deri në Berat rruga eci shpejt. Kthesat gjarpëruese të Poliçanit deri në Çorovodë na lodhën. Rruga ishte e mirë, në ndonjë vend edhe më dhëmbë. Çorovoda e varfër, po ama ngjyrat e qendrës e bënin të dukej sikur buzëqeshte.

Tek një supermarket marrim ndonjë gjë për mëngjes, pyesim dhe shitësen për të na treguar rrugën për në Çepan.

-Sipër qytetit, vetëm ndiqni asfaltin. Është ca larg, rruga e mirë deri në një pikë, – na tregon një grua me të bijën. Kjo e fundit nënvizon se turistët që shkojnë tek kanionet kanë detyruar qeverinë t’i kushtojë kujdes rrugës.

Osumit na ndiqte kudo! Ishte pjesa më e bukur. Kanionet na detyruan të ndalonim të bënim dy selfie. Një çift turistësh gjerman ishin të magjepsur. Me hartë në dorë dhe një automjet fuoristradë kishin plan të shëtisnin gjithë zonën. Ec e s’ka të sosur. Arrijmë tek “Ura e Dervish Muhametit Hasanaj”. Grupe njerëzish kishin shkuar për piknik, të rinjtë bënin foto.

Një çift që po bënte petulla, na udhërrëfejnë: -Ndiqni rrugën, ka tabelë aty që e tregon…

Pas 30 minutash shikojmë tabelën që na drejtonte për tek fshati i Presidentit. Në fillim rruga na gënjeu, pak metra ishte e shtruar me asfalt. Me pas rruga të kujtonte atë shprehjen “Ku ha pula gurë”. Ishte e pamundur të vazhdonim me makinë deri në Çepan.

Pasi kaluam dhe rezervuarin e fshatit Rog, freksioni i makinës po nxehej. Era e djegur na kujtoi se duhet ta linim me aq dhe të vazhdonim pjesën e mbetur në këmbë. Ishte dërrmuese në fakt! Por ja dolëm të kapim një furgon për në fshat.

Në furgon mësuam se hera e fundit që Ilir Meta ishte ngjitur në fshat ishte në tetor.

-Kur vjen Iliri këtej, i lë policët poshtë te rruga. Nuk ka frikë… Monika nuk ka ardhur, na tregon shoferi!

-Ja erdhëm, ky është fshati i Ilirit. Kaq është. 30 familje janë gjithsej!

Një godinë e madhe tre katëshe që duket e lyer dhe në gjendje të mirë të tërheq vëmendjen. Është shkollë në të vërtetë por ka disa funksione. Në katin e parë ishte përshtatur sallë për dasma, në të dytën shkolla 9-vjeçare.

Kati i tretë ishte komunë (njësi administrative). Një rrugë e tre punë! Duhet ta kenë në gjak këtë variantin me shumë opsione, – i them Erionit kolegut tim që më shoqëroi në këtë udhëtim. Në hyrje të fshatit ishte shtëpia e Presidentit të ri. Nuk i kishte vënë dorë nga jashtë, dukej e vjetruar. Qendra shëndetësore është një ngrehinë. Në qendër të fshatit një burrë po priste një porosi me furgonin.

-Ky është kryeplaku, -na tregon një djalë aty.

-Jo jo ka dhënë dorëheqjen. Kishte frikë se futej në burg nga kanabisi, ja kthen një tjetër!

Fshati ka një lokal. Shkojmë drejt tij. Tre burra, bashkë me pronarin ishin ulur dhe po pinin birra.

U prezantuam që ishim gazetarë dhe u ulëm të mblidhnim veten. Nuk na besuan, u stepën. Një fytyrë iu vinte, një iu ikte. Një ditë më parë në zonë ishte zhvilluar operacioni anti-kanabis.  Kjo ndoshta bënte që të na shihnin me dyshim. Madje na morën edhe për spiunë.

-Aman, se na hapni probleme. Kaq jemi ne këtu. Nuk duam probleme me njeri.

Vetëm pasi erdhi u ul me ne shoferi i furgonit, atëherë sikur u qetësuan disi, por në asnjë moment nuk u treguan të lirshëm. Ishin të gjithë diskretë dhe me paranojën se nuk duhet të flasësh sot për askënd dhe për asgjë, se nuk i dihet! Bëmë biseda të përgjithshme.

Për shembull faktin që ishte bërë krushqi në Dibër tradicionalisht, ashtu si Presidenti. Në shtëpinë e lindjes së Presidentit jeton xhaxhai dhe familja e tij. Sa për banorët e tjerë që ishin një dorë siç e përmendem, 30 familje.

Ata nuk ishin të lumtur as kur Ilir Meta ishte kryetar Kuvendi, as tani President. Për ta asgjë nuk ndryshonte. Pa dyshim votonin LSI-në po pa shumë ëndrra dhe emocione. Me qetësi dhe dashuri, fiks si në fshatin e Presidentit Ilir Meta!
Marrë nga tiranapost.al

[gallery]22058[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Ministrja e Jashtme gjermane në Kiev: Më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën

Ministrja e Jashtme gjermane në Kiev: Më shumë mbrojtje ajrore për Ukrainën