Të tjera detaje kanë dalë lidhur me atentatin me tritol në Gjirokastër, ku humbi jetën 45-vjeçari Beqir Devolli, i njohur edhe si ‘Çilo Hunderri’, si dhe mbeti i plagosur 26-vjeçari Erigels Mela. Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e lëndës shpërthyese të vendosur në automjet përllogaritet rreth 300 gram TNT.

Të tjera pikëpyetje ngrihen lidhur me shpërthimin e djeshëm me tritol në automjetin në qytetin e Gjirokastrës.

26-vjeçari që i mbijetoi shpërthimit rezulton të jetë djali i ish-prokurorit Përparim Mela, ndërsa e ëma e tij, Mimoza Mela, aktualisht është sekretare në Prokurorinë e Gjirokastrës. Jo vetëm kaq, por edhe vëllai i tij, Jurgen Mela, u përfshi pak vite më parë në një skemë mashtrimi përmes call center-ave.

Jurgen Mela është biznesmen dhe ortak në dy shoqëri tregtare në Tiranë, i cili është vënë në verifikim nga Policia e Shtetit në kuadër të hetimeve për skemat e mashtrimit kompjuterik përmes aktivitetit të call center-ave.

JM Development: Më 12 prill 2024, ai themeloi kompaninë “JM Development” së bashku me bashkëshorten e tij, Megi Mela, me seli pranë rrugës “Jordan Misja” në Tiranë.

Gama Media Communication: Më herët, ai ka qenë bashkëpronar, me 50% të kuotave, së bashku me Granit Pepnikën, në kompaninë “Gama Media Communication”, e cila aktualisht rezulton e pezulluar.

Ngjarja zhvendoset në Gjirokastër, ku Erigers Mela kishte shoqëri edhe me Çilo Hundërrin dhe, sipas informacioneve, shpesh përdornin makinat e njëri-tjetrit. A ishte thjesht çështje fati apo një faturë e përbashkët që duhej shlyer? Kjo mbetet për t’u verifikuar nga Policia.

Fakti që automjeti shpërtheu mes Prokurorisë së Gjirokastrës dhe Policisë ngre gjithashtu pikëpyetje lidhur me shënjestrën e mundshme të atentatit.


Lajmi kryesor:

Atentati në Gjirokastër/ Beqir Devolli, i njohur si ‘Çilo Hunderri’, u vra me bombë të telekomanduar! Pistat e hetimit, nga lidhjet me grupe kriminale te hakmarrja si informator i dyshuar i policisë