Reportazh në Kaninë, ballkoni i Vlorës me histori të lashtë...Në kalanë e dasmës arbërore të Donika Kastriotit

Kanina është zgjuar nën rrezet e diellit që shtrihen mbi kodra e derdhen në det... Një mozaik fantastik i natyrës që gërshetohet me historinë e kësaj toke të banuar prej 2 mijë vitesh.

Destinacioni kryesor është Kalaja...  Shumë turistë janë ngjitur ndër vite në kalanë e gurtë, mistike, të mbushur me histori por dhe legjenda. Në udhëtimin tonë na shoqëron historiani Kastriot Hoxha, i cili na tregon se kjo është një kala e periudhës ilire, ku vende-vende edhe sot shihen trakte muresh të ndërtimeve ilire. Kalaja u ndërtua nga amantët ilir në shekullin e IV-V para Lindjes së Krishtit. 

Por më vonë, kalaja u shkatërrua nga legjionet romake, të cilat e plaçkitën dhe e rrënuan qytetin. Ajo mbajti për një kohë të gjatë mbi shpinë plagë të rënda të luftës dhe, aty nga shekulli i gjashtë, kalandërtonjtësit pasardhës të ilirëve, e ndërtuan përsëri kalanë antike, por kësaj here me një fizionomi tjetër. Nga kalaja e Kaninës shihen me sy të lirë, Vlora, deti Adriatik, ishulli i Korfuzit, gjiri i Vlorës, Dukati.

Kastrioti na tregon edhe për kullat, portat dhe sahatin e kalasë. Gjergj Arianit Komneni, zoti arbëror i këtyre anëve ishte pararendësi i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut dhe fati do ta sillte që ky i fundit të bëhej dhëndri i tij. Pikërisht në këtë kala është bërë dasma princërore e Donikës me Gjergj Kastriotin në vitin 1451.

Kaninjotët e rrëfejnë me krenari dasmën më të rëndësishme arbërore. Ndër breza, banorët e Kaninës kanë pritur jo vetëm turistë por edhe studiues, historianë e folkloristë dhe s'kanë të ndalur teksa tregojnë për rrënjët e tyre të hershme.

Nga të dhënat e historisë duket qartë se Kanina ka qenë, në rrjedhën e shekujve, kryeqendra administrative, ekonomike, kulturore, politike, ushtarake e trevës arbërore.

Emri i kësaj qyteze ka nisur të përmendet që nga koha e pellazgëve. Për nga lashtësia  e kanë quajtur qytezë antike, e cila u zhvillua si qytet në mesjetën e hershme e në vazhdim. Në Kaninë përmenden edhe sot emrat e kishave të rrënuara, si kisha e Shën Marisë, e Shën Netjasë, e Shën Onufrit, e Shën Parashqevisë e të tjera.

Madhështia e kalasë nuk mund të kuptohet pa njerëzit që vazhdojnë ta bëjnë të admirueshëm këtë vend. Banesat karakteristike te fshatit kane plotësuar pozitën gjeografike të Kalasë. Ne jemi drejtuar për në shtëpinë e Cerciz Lushajt dhe jo pa qëllim.... Ai e ka kthyer në muze, falë pasionit për objektet e vjetra.

Bisedën me Cecon, sic e thërrasin në fshat, e nisin nga oborri, ku ai ka vendosur një shtizë për të ngritur flamurin në nderim të birit të kësaj zone, Ismail Bej Qemali. Dhoma e pritjes i ngjan një muzeu etnografik. Ai na tregon me pasion se si ka arritur të mbledhë dhe të ruaj ndër vite gjithë këto sende me vlere. Ndërsa për mikpritjen dhe traditat e familjeve  kaniniote na flasin dy prindërit e moshuar të Cercizit, Agim dhe Sofije Lushaj. Lëmë të impresionuar këtë shtëpi muzeale, por të pashpallur dhe nisemi për tek shtëpia e familjes Hamzaraj.

Kujtim dhe Fetanete Hamzaraj, tregojnë se shtëpia është ndërtuar përpara 200 vitesh dhe mbrohet nga shteti. Kur shkon ne Kaninë, kënga polifonike të shoqëron kudo,  vargjet u janë thurur trimave si Ismail Qemali, heronjve dhe natyrës së bukur të zonës. Historia përcillet nëpërmjet këngës së bukur Polifonike si një vlerë e shtuar jo vetem per Kaninën por për gjithë Labërinë.

"Shpella e Fikut" është kthyer në destinacion për turistët pasi nga kjo pikë, shihet për mrekulli e gjithë Vlora... Në restorante serviren kryesisht gatime të zonës. Mishi i pjekur në hell është një tjetër traditë e banorëve të Kaninës. 

Në Kaninë gjithashtu mund të bëhesh pjesë e grupeve të organizuara nga banorët për të ushtruar sportin e hipizmit. Karvani i kuajve të çon drejt e tek stanet e barinjve të vendosura përgjatë pjesës lindore të Kaninës. Nga Kanina nuk mundemi të largohemi pa ju treguar edhe spektaklin që dhurojnë mbi det, rrezet e diellit teksa perëndojnë pas Ishullit të Sazanit.

Jo më kot është quajtur ballkoni i Vlorës. Të kundrosh Qytetin e Flamurit nga Kanina monumentale është një magji më vete...

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar