TIRANE- “Janë shira dhe tashmë punimet kanë ndalur”, na thotë Zefi, inxhinieri i FZHSH-së, axhension kreativ dhe ndër më të besueshmit e donatorëve ndërkombëtarë dhe qeverisë shqiptare për zhvillimet infrastrukturore, që e menaxhon këtë aks rrugor nga më panoramikët në Shqipëri. Por insistojmë për ta parë gjendjen e saj, kur në fakt diçka kemi hedhur në shënimet e para një viti me mbarimin e lotit të parë Rrëshen-Prosek-Përlat-Urakë, tek afro 18 km e gjatë. Mbase ai nuk e kupton këtë epje për ta këndvështruar këtë aks rrugor edhe si “udhë me vlera historike”, pasi ajo kalon bash mbi shtatin e udhës së vjetër, siç quhej Udha e Zogut.

Nuk ka si mos ta kundrosh në “retro historike”, Shqipërinë e pak viteve pas Shpalljes së Pavarësisë. Nuk mund të ketë patur vend në Europë e Botë, me rrjet rrugor më primitiv se Shqipëria e asokohe. Me disa ndërhyrje në kohën e austriakëve, por që determinoheshin dhe nga prishjet e atyre veprave rrugore që ngriheshin, si të ishte një shesh lufte, pikërisht në një vend pa qeverim të fortë të vetin.
Është koha e mbretit Zog, kur do të fillojë një kapitull i ri mbarësie për rrjetin rrugor shqiptar. Dhe fati shqiptar i rrugëve, e kishte emrin Musa Juka, ministër i Punëve Botore!


 reportazh me logo
(Në foto: Ura e vjetër e ndërtuar në kohën e Zogut)

Teknologjia moderne e ndërtimit në kohën e Mbretit
Rruga e vjetër, që vinte nga Miloti ndërtuar në kohën e Mbretit Zog, i ka gjurmët e dukshme dhe sot, jo thjeshtë për trupin e deri-diku dukshëm të rrugës, por sidomos veprat e artit. Janë interesante për mënyrën e ndërtimit për kohën.
Nga shtypi i kohës bëhet e ditur se gjatë vitit 1924, në Shqipëri, pati një organizim të një grupi personalitetesh me vullnet të fortë që po mendonin për rimëkëmbjen e vendit, i cili sapo kishte fituar pavarësinë dhe lirinë e tij nga zgjedha e huaj. Ahmet Zogu e përfaqësoi këtë grup si kryetar. Musa Juka u emërue Ministër i Punëve Botore, njeri me fuqi vullneti jashtëzakonisht të madh e me ide të qarta, me inteligjencë të rrallë e idealizëm të pashoq, për atë që duhej bërë në Shqipërinë e paurbanizuar.

Në shenimet e ing. Erëin Schnitter, thuhet “Unë, si inxhinjer i ri sviceran, tue pasë krye shkollën Politeknike të Zurich-ut e tue pasë marrë pjesë në ndërtimin e disa urave e digave në vendin t’em, pata fatin me ndjekë-gjatë disa vjetësh-fillimin e këtyne realizimeve të Ministrit të Punëve Botore Zotni Musa Juka. ”Nuk kam njoftë njeri ma të aftë, ma të përkushtuem e të ndershëm se kët minister”.

Është koha dhe janë vitet kur kemi disa ndërhyrje impresionuese në rrjetin rrugor shqiptar dhe në portin e rëndësishëm të Durrësit. Për tre vite punoi dhe inxhinieri zvicerian krahas ministrit shqiptar. I diplomuar prej shkollës Politeknike të Zurich-ut si inxhinier gjeometer, ka drejtuar punime të rëndesishme jo vetëm në Zvicër, por dhe në shumë vende të botës. Disa prej ndërtimeve të tija që meritojne të përmendën posaçërisht janë dy tunele nën ujë, njëri në Holandë e tjetri në Irlandë; porti i Dunkerqne-ut në Francë; qendra hydraulike e battage (dam) ne Portugali (Castelo do Bode e Cabril) e n’Alsace, Francë etj. Ai ka bërë pjesë në ndërtimin e metropolitan-it (sabëay) të Torontos e ka lënë gjithashtu plane për ndërtimin e nji sistemi metropolitan për qytetin e Zurich-ut.

Veprat e artit dhe sot vazhdojnë të jenë prezente gjatë gjithë udhës. Ndërsa Ura me Harqe mbi lumit Mat, evidentohet si vepër monument e rrallë e plot hijeshi.
Kujt nuk i ka bere pershtypje ura aq e bukur ndërtuar mbi lumin Mat, inaguruar me 26/5/1927, projektuar nga ing. zviceran atëherë në moshë 30 vjeçare Erëin Schnitter. E ndërtuar me 6(gjashtë)harqe,  gjithsecila nga 54 m. e gjatë, me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën.

Sipas gazetës “SHQIPNIJA” me Drejtor Dr. Leonidha Naçi - (Tiranë, e Martë 24/5/1927), në inagurimin e saj morën pjesë deputetë, senatorë si dhe autoritete të Shkodrës e Lezhës. Është një inagurim solemn i më të parës vepër të madhe për dobi publike që Ministrija e Punëve Botore (nën drejtimin e të palodhurit ministër Musa Juka), kreu me iniciativën e vet plot energji…. “Sa për punimin artistik të kësaj ure, e për hijeshinë e saj nuk mund të zhvillohet si duhet nji përshkrim, e vetëm kush ka rastin me e pa, mbetet i impresionuem për nji vepër artit kolosale.…. Sipërmarrja e kësaj nga Ing. Mazorana & Co., e përfaqësume prej inxhinierit të vet ekzekutues z. Erëin Schnitter, me nji zell e zotsi të çqueme mbrenda nji vjeti punimi e kreu pikërisht në bazë të kontratës, tue fitue në kët mënyrë admirimin e simpatinë e gjith atyne që kanë pas rasin me e njoh këtë shoqni ndërtimi në punë e sipër”.
 reportazhi me logo
(Në foto: Rruga e re që vazhdon të ndërtohet)

Udha e re mban zonat të populluara
 Duke nisur nga Rrësheni e më tej për Prosek, vihet re se nuk ka shtëpi të patym! Mungesa e tymit në oxhaqe është shenja e zbrasjes së trojeve në fshatra të tjerë, por qëkur erdhi kjo rrugë, askund përgjatë saj nuk sheh oxhak të heshtur. Këtë na e thonë banorët e Prosekut që takojmë, kur rruga ua ka sjellë Rrëshenin thuajse në derë. E kështu më lart për Përlat, për të vijuar për Urakë,e më tej në fshatrat e Rukajt, Zenishti, Shoshaj e me rradhë. Shkurtuar në kohë është dhe rruga për Selitë e Lurën turistike, së paku me 18 kilometra. Dhe natyrisht ka hap oreksin e një aksi të ri që do e donin banorët e atyre zonave.

Benet Beci, ekonomist, drejtues energjik i FZHSH, na rrëfen se pas 18 kilometrash që thuajse i ka vënë për vijë që nga Rrësheni-Përlat e deri në Urakë, e ndërkohë që këtë vit do të përfundojë edhe loti i dytë nga Uraka deri tek ura në Shoshaj të Matit, duke e quajtur si nyje lidhëse në mes dy arterieve kryesore të udhnajave moderne shqiptare, Rrugës së Kombit dhe Rrugës së Arbrit, njëra e përfunduar tashmë dhe tjetra në punim e sipër.

Pos mbajtjes së banorëve të lidhur me trojet e tyre të vjetra, e me plot resurse jetese, duken dhe shenja të rigjallërimit të bisnesit gjithandej “trupit” të udhës, dikund lokale, karburante, pika shërbimi, magazina etj etj. Njëri prej tyre ështe dhe Ermali në dalje të Prosekut.
 
Ermali dhe “Sofra e Kthellës”
 Nuk është ndonjë ‘Robin Hud’, edhe pse pamjen ta jep, teksa i pëlqen të duket thuajse si ai! Është një bashkëbisedues i këndshem, djalë energjik që ka lënë emigrimin për t’iu kushtuar punës në vendin e lindjes, në Perlatin e tij të bukur sapo ka vënë re ardhjen e kësaj rruge.
Ka ngritur një lokal që “fshihet” në një minipyllnajë pishash në të hyre të Përlatit, ku shkruhet “Sofra e Kthelles”. Është një grishje mikpritëse jo thjeshtë prej emertimit, por gjithçkaje të bërë deri më tash, lokali me pjesën e brendshme, oxhak, tavolinat e një miniholli me dërrasë e në pjesen e jashtme rrethuar me pisha, dhe ku gjithçka është harmonizuar me natyrën, për të bashkëjetuar natyrshëm me të.

Ermali, një djalosh i hedhur dhe elegant nis na rrëfen për bisnesin e saponisur. Gjithë energji dhe ide, ai na kalon gjithandej, ku mendohet të krijohet një mjedis shërbimi shumë i veçante dhe në përshtatje me etnokulturen vendase. “Të ruash traditën”, është një moto, që nuk ka përse të mos joshë klientë të shumtë në të ardhmen, ndaj jo shumë larg në kohë, këtu do shikoni tavolina rrotull nëpër pyll në stilin e hershëm mirditas; një mulli si eksperiencë italiane që vihet në punë me fare pak ujë, e pak me tutje vend i pjekies së rakisë.

Por ama gjithkund do të ketë tavolina origjinale të punuara me stil vendas, dhe ku duket se e moçmja e shërbimit do të sillet origjinal aty në natyrë, dmth, edhe një mulli, një mik a shok vinte të kalonte kohën me mullicakun me një gotë raki dhe pak meze, kësisoj në ditët e sotme, do të duket si një “lodër-shërbimi ekzotike” por tejet efikase! Pak më tej, më rrëfen se do të marrë udhë një “galeri miniere”, një palë shina, një vagon, dhe aty brenda natyrisht “minatorët-klientë” do mund të gostiten me shërbimin tradicional!
E natyrisht, përgjatë rrugës ide dhe fantazi të reja po marrin udhë.
 
Fshati i çizoluar dhe tragjedia

Urakasit, janë ankuar vazhdimisht për rrugën që nuk e kishin. Si një fshat i mbetur jetim, as me Matin e as me Mirditën, e kanë shprehur protestën e vet në mënyrë unike, me mosvotim! Të majtë e të djathtë nuk kanë pranuar të votojnë tri palë zgjedhje, pikërisht për shkak të izolimit. Madje para bojkotit të parë 2005, në po këtë fshat u shënua dhe një tragjedi mbi urën e gjatë pasarelë mbi liqenin e Ulzës, kur banorë të kësaj zone, duke ardhur nga një mort, ranë në liqen, duke pësuar disa vdekje e plagosje të rënda. Atëherë u quajt Otranto e Dytë shqiptare. Si kujtim i asaj kohe ka mbetur ura pasarelë e varur mbi tela dhe varret në dalje të fshatit.

Por ajo kohë tashmë ka ikur për urakasit dhe sot duken krejt ndryshe, teksa i pyet nëse do votojnë kësaj radhë apo jo! “Ne jemi ç’liruar për herë të dytë që nga viti 1957 kur tokat na i zuri liqeni”-thotë kryeplaku i fshatit.
Ata vazhdojnë ende t’ia dinë për nder Ahmet Zogut, hyzmeqarë të të cilit kishin qenë të parët e tyre, më të shumtit e këtij fshati, ndërsa mbreti ishte treguar i mirë me ta, pasi u la tokat dhe u çoi dhe rrugën që për fat kalonte pikërisht nga nahijet e Burgajetit të tij.

Por dhe Mirditës duket se ia kishte borxh (nga amaneti i nënës së tij), ngase qe i vetmi rast që një mysliman do të fshihej nën petkun e një xhakoni katolik pikërisht tek Kuvendi Françeskan i Rubikut, që të mos arrestohej.
“Këtë urë, ku kanë humbur jetën 10 njerëz të fshatit dhe të këtyre zonave, do e mbajme si urë kujtese”, na thotë Feriti, ndërsa përbri saj naltohet ura e re moderne e betontë, e cila i ka këmbët e thella mbi liqen. Ky djalë që bën xhiro mbi urë, të kujton sakrificën sublime shumvjeçare të moshatarëve të tij që kalonin urën e gjatë pasarelë, nën kërcënimin e vdekjes së përminutshme. Tamam, ura pasarelë është vetë historia e dhimbshme e urakasve, dhe duhet ruajtur me kujdes.
 
Urakasit, aty ku mbijeton “feja e shqiptarit asht shqiptaria”
Uraka, edhe pse numëron mbi 350 familje (nga fshatrat më të populluar të zonës), nuk ka as kishë dhe as xhami, kur përbërja e tij është heterogjene në besim dhe sa i përket krahinave nga kanë ardhur banorët e këtushëm, kryesisht me ngulimet e para, këtu e 80 vite të shkuara. Pyetja “si shkoni katolikë dhe myslymanë”, kur ua drejton urakasave, është gjëja më pamend, sepse merr përgjigje neglizhuese.

Ata as pëlqejnë të shkojnë në kishë por as dhe në xhami, e prej këtij fakti, nuk e kanë as njërën dhe as tjetrën! Por ama, thuajse të gjithë shkojnë në 13 të martat e kishës së Shnandojt në Laç. Duket se ata janë aq pragmatistë dhe paraqesin dhe sot një realitet të pastisur të asaj që dhe të huajt kanë shprehur ndaj nesh si shqiptarë si “popull jo dhe aq besimtar të thekur”.

Por kjo nuk do të thotë se urakasit janë të dalë nga “Udha e Zotit”, sepse porositë e Kuranit dhe të Biblës i zbatojnë me përpikmëri; as vriten dhe as zihen me njëri tjetrin, as vjedhin dhe as dhunojnë, por kafërdisen në hallin e tyre, e prej mbi 80 dekada në këtë fshat nuk është shënuar asnjë konflikt apo vrasje hasmërore, etj.

reportazhi me logo
 
Udha e re na zbulon “maternitetin e peshkut”
Sapo kalon Urakën përmes urës së re me një harkore fantastike që shkon bregut të liqenit dhe futesh më tej në mes pyllit dushkor, përballë të shfaqen fshatrat e tjerë tej liqenit nga kodra e Pujkës, Rrethe-Baz,e më pas lagje të tëra që kanë mbiemra fisesh, si Gjetanaj e më rradhë. Askush nuk i ka parë këto mrekulli, pos banorëve të izoluar të këtyre zonave, por ama tash udha e re të sajdis pamje magjepsëse. Banorët e këtyre anëve, e kanë zakon peshkimin, por dhe si një bazë të fortë jetese. Por tashmë e bjerrur pak a shumë si traditë, sepse dhe vetë peshku është tejet i rralluar.

Këtë na e thonë dhe vëllezërit Gjini, shtëpitë e të cilëva janë bri trasesë së shtruar me kalldrëm. Na bën përshtypje një zonë e tërë prej dhjetra hektarësh, me tip gropash katërkëndëshe, si ujëmbledhësa malesh të thata. Janë tip vaskash, ku rritej rasati, por që prej 22 vitesh nuk funksionojnë më. Zefi ka punuar aty. Ai mezi flet, ndaj i duhet të shtypë mekanizmin e vënë nga një operacion i vështirë në fyt nga mjekë francezë, por vitet e punës i kujton me nostalgji. “Erdha nga miniera e Batrës për të punuar këtu, tek ky rezervat peshku, që u hap në vitin 1987. Janë 45 vaska të stërmëdha, ku hidhej rasati pasi përpunohej tek “materniteti i peshkut”.

Ai na rrëfen gjithë procedurën që kryehej asokohe, me peshkun ballgjan, i njohur për rritjen e tij të shpejtë dhe shijen. Merrej dhe hidhej në një vaskë betoni, aty i bëheshin dhe vaksinat dhe në verë hidhte vezët. Ato kalonin në maternitet, ku bëhej kujdes i vecantë për të prodhuar rasat të shëndoshë dhe rezistent, e më pas ai hidhej në vaska, ku dhe rritej deri në një madhësi të përcaktuar. Pastaj si ballgjani, krapi apo melyshi e lloje të tjera, merreshin dhe hidheshin jo vetëm në liqenin e Ulzës apo Shkopetit, por gjithandej nëpër liqene apo rezervuare.

Kishte një sistem të tërë uji që kalonte nëntokë dhe siguronte rrjedhjen e ujit nëpër vaska dhe pastërtinë e tyre. Të vetmen gjë që ata kanë mundur të ruajnë është pikërisht stacioni i pompimit që u shërben dhe sot në ato dynymë tokë të punueshme e më të cilat mbijetojnë, pak metra tutje “maternitetit shqiptar të peshkut”, ku ata kanë shtëpitë e tyre.


Kështu, hap pas hapi, dikund e humbur nëpër liqen, apo kthesa rrugësh, Udha e Zogut na ndjek hap pas hapi me “reliket” e saj të vyera në një luginë ku Kultura e Matit dhe e Mirditës, krijojnë një simbiozë të hershme historike, e bash për këtë mund të jetë ndër akset e vecanta shqiptare, që vec mirësisë që u sjell këtyre zonave, pse jo shpërfaq dhe bukurite natyrore dhe nxit dhe hulumtimin kulturor.

reportazhi per rruget, me logo
(Në foto: Rruga e vjetër (majtas) dhe rruga e re që po ndërtohet mbi rrugën e vjetër (djathtas)

Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)