POGRADEC - Fshati piktoreskt buzë Liqenit të Ohrit, Tushemishti, është i njohur si vendet ku duikur pushonte Enver Hoxha e gjatë gjithë kohës, edhe në ditët e sotme, Dritëro Agolli, si dhe mjaft figura tjera të njohura. Por, famën më të madhe, ky fshat e mori me filmin “Zonja nga qyteti”, pasi u xhirua në Tushemisht.

Ky fshat ndodhet vetëm 5 kilometër larg qytetit të Pogradecit, buzë liqenit të Ohrit. Një zonë e vërtetë turistike, me më shumë se një mijë banorë.

Ndonse jemi fillim të pranverës, në ditët e fundjavave, të gjitha shtëpitë dhe hotelet janë prenotuar nga pushues të shumtë, të huaj dhe vendas. Prej vitesh, Tushemishti frekuentohet nga pushuesë austriakë, gjermanë, danezë, italianë etj.

Janë bukuritë magjike të Tushemishtit, i cili qëndron mbi ujrat e liqenit dhe mbi burimet e Drinit, që burojnë nga Shën Naumi, që Tushemishtit si fshat turistik, i japin një status të veçantë.

Vilat e bukura dy katëshe me lule erëmira, oborret e kalldrëmta dhe ujrat që përshkojnë fshatin mes përmes e që kalojnë edhe poshtë shtëpive, kopshtet me mollë dhe fruta të tjera, i japin fshatit turistik një pamje të rrallë dhe shpeshherë të duket sikur je në përrallat e Andersenit.

Por, Tushemishti i dëshiruar, kohët e fundit ka filluar të shpërfytyrohet. Kopshtet me mollë buzë liqenit po shiten nga pronarët dhe aty po ngrihen ndërtesa shumëkatëshe, duke e shkatërruar të gjithë fshatin, duke shndërruar lulishtet dhe bahçet në palate dhe oborre të betonta.

Vendalinjtë janë tepër të shqetësuar për shpërfytyrimin që po pëson fshati i tyre, por janë të pafuqishëm që ta ndalin. Asnjë nuk merr masa, ndërsa lejet nga organet vendre për ndërtime pallatesh jepen pa asnjë problem. Një grua e moshuar, Viktori Llakmani, të cilin e takuam para burimeve të Tushemishtit, pranon të flasë për “Shqiptarja.com”, duke treguar se ç’po ndodh në fshatin e saj.

Zj.Viktori, si ju duket ju, si banore e moshuar e Tushemishtit,  ndërtimi i këtyre pallateve shumëkatëshe?
Po e shikojmë me keqardhje këtë fshat kaq të bukur që e kanë zili të gjithë. Po e mbyt betoni. Rrugët e kalldrëmta janë krejt të shkatërruara nga makineritë e rënda që kalojnë nëpër fshat.

Çfar ka humbur Tushemishti nga e kaluara?

Fshati po humbet pamjen e tij, atë bukuri të vilave dykatëshe me kopshte dhe lule te shumta, aq të dëshiruar për të huajt dhe turistët vendas.

Si do të ndalet kjo rrëmujë betonimi?

S’kemi fuqi ne të moshuarit që ta ndalim këtë rrëmujë. Ne vetëm konstatojmë me keqardhje.

A e dëmton turizmin familjar të Tushemishtit kjo dukuri?
Patjetër. Nuk ka shtëpi në Tushemisht që nuk lëshon dhoma me qira për turizëm familjar dhe për turistë të huaj që vijnë çdo vit  dhe këto ndërtesa shumëkatëshe, jovetëm do të prishin atë bukuri dhe intimitet të një fshati turistik.

Kryetari i Komunës

“S’ndaloj banorët të shesin pronat për pallate”

Kryetari i Komunës së Buçimasit, e cila ka nën juridiksion dhe fshatin Tushemisht, Roshi Tollozhina, i rizgjedhur për një mandate të dytë, thotë se ai ka projekte të veçanta për Tushemishtin.

“Eshtë zgjeruar dhe elektrifikuar rruga buzë liqenit, ndërsa rrugët e fshatit u shtruan me një kalldrëm shumë cilësor, pasi u dëmtuan gjatë hapjes së kanaleve të ujrave të zeza”, thotë kryekomunari Tollozhina.

Gjithashtu, sipas tij, kemi shpallur një konkurs, pasi në qendër të fshatit, do të vendosim monumentin e Violeta Manushit, (Zonja nga Qyteti me një valixhe në dorë), pasi këtu në këtë fshat është xhiruar ku film”.

Ndërkohë, puna duket se ngec tek ndërtimet shumëkatëshe, që shumë shpejt mund ta degradojnë këtë fshat turistik, si një lagje të Pogradecit me palate, gjë që detyrimisht do t’ia largojë pushuesit.

“Në lidhje me ndërtesat shumëkatëshe që po ngrihen, ato janë brenda vijës së verdhë dhe vetë pronartë u kanë shitur tokat e tyre firmave të ndërtimit, të cilat po ngrenë komplekse turistike. Unë nuk mund të ndaloj pronarët që të shesin tokat e tyre që i kanë me tapi”, thotë kreu i komunës, pa thënë se, përse jep leje ndërtimi, që rrezikojnë të shkatërrojnë këtë zonë të bukur turistike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)