Në Shqipëri nuk ka luftë, nuk ka uri. Modelet e Mercedezave udhëtojnë përmes qyteteve të mëdha dhe jugu duket si Riviera franceze. Atëherë pse ikin shqiptarët?

Kështu e nis reportazhin e saj gazetarja Anna Prizkau, publikuar sot në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine të titulluar një tokë pa të ardhme.

Gazetarja përshkon plazhin e Durrësit të cilin madje e krahason me San Tropez, një prej plazheve më të bukura franceze për të cilin shpreh habi se si njerëzit e kanë lënë këtë vend. Gjatë rrugëtimit të saj, ajo takohet me një djalë shqiptar, Danieli i cili 6 muaj më parë ishte një prej refugjatëve ekonomikë e provoi fatin e tij në Gjermani.
 
“Mendova se ika përgjithmonë”-thotë Danieli i cili është kthyer vetëm pak ditë më parë në shtëpi. Ashtu si Danieli, në 6 muajt e fundit, mbi 20 mijë shqiptarë iu drejtuan Gjermanisë-vijon gazetarja, e cila zhvendoset më pas rreth 200 km larg Durrësit, në Shkozë, në rrethinat e Tiranës, aty ku takohet me urinë dhe varfërinë e skajshme të familjeve rome. Edhe mes tyre ka nga ata që kanë provuar të përfitojnë azil në Gjermani, siç është Lidia, personazhi i radhës së këtij reportazhi.
 
Edhe ajo u kthye në qershor të këtij viti. Shumë prej atyre që gazetarja gjermane Anna Prizkau ka folur gjatë rrugëtimit të saj nëpër Shqipëri, thonë se duan të ikin, madje ka nga ata që i luten t’i marrë me vete drejt Gjermanisë. Reportazhi vijon me një pasqyrim të trishtë të jetës së këtyre familjeve rome, që mbijetojnë duke mbledhur shishe plastike e më pas duke i shitur ato.

“Kutërbimi atje shpjegon çdo gjë. Në Shkozë nuk ka ujë, as energji elektrike dhe as kanalizime. Përse e braktisin shqiptarët vendin e tyre? Pyet gazetarja gjermane, ndërsa reportazhi I saj vijon me të tjerë personazhe që ajo has në udhëtimin e saj. “Sa herë që I kam pyetur shqiptarët përse ikin prej vendit të tyre, gjithmonë përgjigja është me 6 gërma. E ardhmja”-shkruan Prizkau.
 
“Njerëzit thonë se duan që fëmijët e tyre të rriten në Gjermani”. Gazetarja gjermane zhvendoset më pas, në reportazhin e saj, në Orikum, në Vlorë ku qindra të rinj kanë emigruar drejt Gjermanisë. Shqiptarët e kthyer u tregojnë miqve të tyre që nuk ka asnjë mundësi për të qëndruar në Gjermani. Dhe shumë shpejt e gjithë Shqipëria do ta marrë vesh”-vijon reportazhi ndërsa gazetarja rrëfen për bisedën e saj me një kamarier. Edhe ky i fundit i tregon dëshirën e tij për të shkuar në të ardhmen në Gjermani.
 
“Çdo ditë në këtë vend, kuptoj se fjala “e ardhme” është shumë e fuqishme ndërsa duket sikur Gjermania është vendi I sigurt për këtë të ardhme.”-shprehet Prizkau.
 
Por kur ajo i pyet njerëzit se pse nuk mund të kenë të ardhme në Shqipëri, shumë përgjigjen: Për faj të politikës.

Gazetarja zhvendoset në rrëfimin e saj, në Tiranë, qytet të cilin e quan si një fëmijë i jashtëligjshëm i komunizmit.
 
“Në qendër ka godina nga periudha fashiste italiane, por më tutje sheh ndërtesa të larta që ngrihen drejt qiellit”-vijon Prizkau e cila takohet me shkrimtarin e njiohur Fatos Kongoli I cili përpiqet ti shpjegojë këtë situatë.

“Në të kaluarën njerëzit ikën nga varfëria ekstreme. Por për momentin nuk ka njerëz të varfër në mënyrë të tejskajshme që ikin. Kam parë të rinj që ankohen për ushqimin që kishin nëpër kampe, çka tregon se kanë ushqim më të mirë nëpër shtëpitë e tyre”-thotë Kongoli.
 
“Por nëse jeta këtu nuk është aq keq, atëherë pse ikin shqiptarët e pyes shkrimtarin. Dhe Kongoli përgjigjet me të njëjtën fjalë: për të ardhmen.”-vijon Prizkau.
 
“Një aventurë? Një bast? Mendoj e mendoj dhe më pas më kujtohet Danieli, I cili luajti me të ardhmen e tij. Aventura ishte dëshira e tij për një jetë më të mirë. Nuk bëhet fjalë për një rrogë fikse apo një punë e zakonshme, sepse Danieli I ka që të dyja në Shqipëri. Ai thjesht donte më shumë për jetën e tij. Ne gjermanët jemi mësuar me këtë. Por kur mijëra të tjera jashtë papritur duan më shumë nga kjo, ne gjermanët, europianët na duket e çuditshme. Edhe mua kështu më duket. Kjo është arsyeja pse erdha në këtë vend. Arsyeja pse isha në Shkozë, në rrethinat e Tiranës. Kërkova për tmerrin, arsyen e fortë për të ikur dhe gjeta diçka tjetër: arrogancën gjermano-europiane”-e mbyll reportazhin gazetarja gjermane Anna Prizkau.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)