MIRDITE - Objektivi i kamerës së televizionit A1 REPORT u fokusua në ish-burgun e Spaçit në qytezën me të njëjtin emër, në rrethin e Mirditës, për të sjellë në sytë e opinionit publik barbarizmin që po kryhet ndaj një objekti, i cili katër vjet më parë u shpall me një vendim të qeverisë, Monument Kulture me vlerën e kujtesës kolektive.

Nisma u ndërmor pas denoncimit të shkrimtarit dhe analistit Fatos Lubonja, një prej ish- të dënuarve të regjimit komunist, i cili në vizitën e tij të fundit në këtë kamp njoftoi policinë për batërdinë që po ndodhte, shfrytëzimin për skrap.

Një prej personave përgjegjës të arrestuar nga policia, është edhe vëllai i ish-komandantit të gardës Ndrea Prendi (i cili vetëm disa ditë më parë u shpall i pafajshëm për akuzat në lidhje me vrasjen e 4 demonstruesve gjatë protestave të opozitës më 21 Janarin e dy viteve më parë). Ndaj 58-vjeçarit, Nikoll Prendi aktualisht rëndon një procedim në gjendje të lirë.


burgu i spacit me logo


*Foto, gjatë reportazhit të A1 REPORT! sot në burgun e Spaçit/ Mirditë
Shikoni këtu të tjera foto

burgu i spacit me logo


BURGU MUZE
Ish-burgu i Spaçit është shpallur katër vjet më parë monument kulture, ku me vendim të qeverisë ka kaluar si institucion nga Ministria e Mbrojtjes në varësi të Ministrisë së Kulturës. Tashmë Burgu i Spaçit konsiderohet si Qendër Muzeale e Kategorisë së Dytë. Në muajin qershor me rastin e projekteve të 100-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se Burgu i Spaçit do të kthehet në një muze të vizitueshëm. Kryeministri i la detyrë ministrit Aldo Bumçi që të përgatisë projektin, i cili tashmë është gati dhe autori që ka fituar këtë projekt është Latif Lazimi. Autori i këtij projekti ka parashikuar rikonstruktimin e rrugës së shkatërruar që të çon nga autostrada deri te zona e Burgut, që shtrihet në formën e një kompleksi ngritur në një zonë të thepisur malore. Ndaj në projekt është menduar që të rregullohen rrugët dhe të punësohen kujdestarë dhe punonjës të muzeut për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tij, ku pritet të ngrihet edhe stafi që kujdeset dhe menaxhon muzeun. Në godinat gjysmë të rrënuara është menduar që të ruhen të gjitha gjurmët dhe elementët ekzistues, që sipas projektit të muzeut të shërbejnë si dëshmi e gjallë e persekutimit çnjerëzor të bërë gjatë komunizmit.

Projekti parashikon restaurimin e objekteve ekzistuese, përfshi edhe të godinave, ku në njërën prej tyre do të ndërtohet edhe godina muzeale. Në mjediset e saj ish-të burgosurit që kanë ruajtur relikte dhe paraardhësit e tyre të sjellin për t’i ekspozuar, ku ndër to do të ketë rroba, enë, gjëra të shkruara, piktura apo skulptura, objekte interesante për ata që nuk e kanë njohur kohën dhe ato çfarë kanë ndodhur aty. Sipas arkitektit, i cili ka projektuar edhe një monitor ku vazhdimisht do të shfaqen skena nga xhirimet dhe filmimet nga koha kur ambienti funksiononte si burg, “atje do të kthehet edhe energjia elektrike dhe uji, të cilat që nga viti 1988 e deri më sot nuk janë më, sepse lidhjet elektrike dhe tubacionet e ujit janë dëmtuar

PREMTIMI I KRYEMINISTRIT BERISHA

Në muajin qershor të vitit 2012 kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Kulturës që ministri Aldo Bumçi të paraqes në qeveri kërkesën për ndërtimin e Muzeut Historik të Spaçit. “Ministria e Turizmit Kulturës dhe Sporteve duhet të sjellë në qeveri vendimin për ngritjen e Muzeut të Spaçit”, tha Berisha. Megjithatë prej katër vitesh gjendja është kjo: kanë ngelur disa godina me disa kate, ku mungojnë dyert dhe dritaret. Hyrjet e galerive të minierave janë bllokuar, ndërsa rrethimet me tela me gjemba nuk ekzistojnë më, sepse prej kohësh janë grabitur e kanë shkuar për skrap. Burgu i Spaçit, edhe sot e kësja dite ende nuk ka asnjë restaurim, ndërsa prej vitesh mban statusin e njëjtë të ruajtjes me të gjitha monumenteve të kulturës që gjenden në Shqipëri.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)