BULLGARI - Një valë e papritur i të ftohtit dhe erëra të forta kanë goditur Ballkanin ku në Bullgari është shënuar një person i vdekur ndërsa në Hungari janë përdorur mjete ushtarake për ti ardhur në ndihmë mijëra shoferëve të bllokuar në rrugë për shkak të reshjeve të rënda të dëborës.

Dëbora e madhe ka lënë njerëzit të bllokuar në makina, autobusë dhe trena gjatë natës të së premtes ku stuhitë e dëborës kanë bllokuar dhjetëra qytete dhe fshatra në Hungari.

Raportohet nga mediat vendase se situata është më kritike në autostradën që lidh Budapestin dhe Vienën ku qindra makina janë të bllokuara nën dëborë. Një gazetar i Reuters tha se reshjet e dëborës në autostradë kanë arritur lartësinë deri në 3 metra.

Në Gabrovo është deklaruar situatë emergjence për shkak të erërave të forta me shpejtësi deri në 130 km në orë. Pemët e rëna kanë bllokuar rrugët dhe kanë dëmtuar makina të parkuara dhe shumë prej çative të ndërtesave janë dëmtuar.

Pothuajse 200 mijë njerëz në Hungari, Bullgari dhe Sllovaki kanë mbetur pa energji elektrike.
Shira të rrëmbyeshmë kanë goditur gjithashtu disa zona të Serbisë dhe Bosnjës.

(l.c/v.gj/shqiptarja.com)