Edhe mëngjesin e sotëm verilindja dhe juglindja e vendit janë zgjuar të pushtuara nga reshjet e dëborës. Më kritike situata paraqitej në aksin Qafë-Thanë –Pogradec ku reshjet e dendura të dëborës deri në 40 cm sollën sërish bllokimin e këtij aksi, ndërsa radha e mjeteve të bllokuara ka shkuar deri në 3 kilometra.

Por falë ndërhyrjes së policisë rrugore dhe punonjësve të drejtorisë së rrugëve situata është zhbllokuar duke bërë të mundur lëvizjen e automjeteve të vogla, por jo ato të tonazhit të rëndë.
 
Nga ana e saj Policia e Shtetit bën të ditur se nё Pikёn e Kalimit tё Qafё Thanёs nuk do tё lejohet kalimi i mjeteve tё rёnda drejt Maqedonisё, pasi pёr shkak tё reshjeve tё dёborёs dhe ngricës ёshtё i pamundur kalimi i tyre drejt Strugёs nё Maqedoni.

Ndërkohë Rruga e Kombit vijon të jetë e kalueshme me zinxhirë, ndërsa aksi Kukës -Fushë-Arrëz është i bllokuar gjithashtu dhe aksi Kukës –Peshkopi.

Probleme paraqiten edhe në komunat e thella malore të Kukësit e Tropojës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 cm.  Këto akse rrugore janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa borëpastrueset e drejtorisë së rrugëve janë të gjitha në punë.

Aksi rrugor që lidh Peshkopinë me zonat e thella të Dibrës gjithashtu vijojnë të jenë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa në disa komuna mungon prej ditësh energjia elektrike. Akset Rrëshen-Lurë, Rrëshen -Kaçinar në Mirditë vijojnë të jenë të bllokuara nga reshjet e dëborës, ndërsa edhe Malësia e Krujës po përballet me të njëjtin problem.

Policia rrugore ndodhet gjithashtu në vendngjarje, ndërsa i bën apel drejtuesve të mjeteve të përdorin zinxhirët.

Policia: Probleme në disa akse, drejtuesit të respektojnë rregullat e qarkullimit
Policisë së Shtetit vazhdon monitorimin dhe kontrollin në të gjitha akset rrugore, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore, duke parë edhe gjendjen dhe kushtet e vështira atmosferike që kanë përfshirë disa nga akset kryesore të vendit.

Sipas policisë, aktualisht vështirësi paraqitet në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë -Përrenjas, ku mund të kalojnë vetëm automjetet e vogla të pajisura me zinxhirë. Shërbimet e Policisë Rrugore në këtë aks rrugor kanë bllokuar kalimin e automjeteve të tonazhit të rëndë,  për shkak të ngricës dhe erës së fortë, e cila hedh dëborën në trasenë e rrugës. Po ashtu kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë është bllokuar dhe nga pala Maqedonase dhe në Pikën e Kalimit Qafë Thanë nuk lejohet kalimi i tyre në të dy anët e kufirit për shkak të ngricave dhe dëborës.

Ndërkohë në akset e tjera kryesore nacionale si në Rrugën e Kombit, në aksin rrugor drejt Dibrës, si dhe në aksin Shkodër-Pukë për shkak të ngricave është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.

Shërbimet e Policisë së Shtetit, Policia Rrugore dhe mjetet borëpastruese janë të pranishme në këto akse në gadìshmëri të plotë për të monitoruar trafikun dhe për të ndihmuar në çdo rast drejtuesit e mjeteve në vështirësi.

Nga ana saj Policia Rrugore porosit drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me rigorozitet dispozitat e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve, dhe në mënyrë të veçantë të tregojnë kujdesin e duhur gjatë kalimit në këto akse rrugore, të respektojnë distancën e lëvizjes ndërmjet mjeteve, të respektojnë normat e shpejtësisë, të tregojnë kujdes në përdorimin e sistemit të ndricimit dhe të sinjalizimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, të përdorin rripat e sigurimit, si dhe të tregojnë vëmendjen e duhur gjatë drejtimit të mjetit.
 
PDF - Situata e Rrugëve sipas ARRSH

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)