Pavarësisht situatës së vështirë të krijuar në disa akse të vendit nga reshjet e dëborës, politikanët kanë vijuar takimet e tyre elektorale. Kryetarja e LSI u ndal edhe këtë të diel në Korçë, ku u takua me votues për herë të parë.  Gjatë takimit, Kryemadhi akuzoi qeverinë se i ka lënë qytetarët në harresë dhe të bllokuar për shkak të reshjeve, duke mos bërë asnjë veprim për tju gjendur pranë në këtë situatë.

“Në Korçë ndihesh mirë edhe me këtë dëborë kaq të madhe, me këtë peisazh kaq të bukur dhe kaq të pastër, brenda saj ka një zjarr të jashtëzakonshëm, i ndryshimit. Unë dje deri në orët e vona isha në Maliq, shpi më shpi dhe ajo që më bënte përshtypje ishte se nje njerëzit ndiheshin të harruar, sepse mendonin se njeri nuk i takon, bora do i bllokojë rrugët, do e kenë shumë të vështirë për të lëvizur, por do shikojmë që nuk do të ketë vëmendjen fare ndaj nesh, nuk do të ketë ndihma, ushqime, ndihma për ndonjë të sëmurë etj. Në fakt dje kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me një shokun tim, Nikolin Shtjefni i cili donte të ikte në shtëpi, por ka ngelur me orë të tëra në rrugën nacionale të Lezhës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Qafë Thanë e në të gjitha rrugët” , u shpreh Kryemadhi.

Akuza hodhi edhe ndaj Bashkisë së Korçës se nuk po bën sa duhet për tu ardhur në ndihmë qytetarëve të bllokuar për shkak të reshjeve. 

“Kur po vija rrugës, pyeta kush e ka administrimin e qytetit për të pastruar rrugët. Sepse që të vish për 3 km dhe ta bësh për 1 orë e gjysëm është e tmerrshme. Pra këtu merren paratë, ju paguani taksa pastrimi, taksë gjelbërimi, paguani taksat e biznesit dhe kur vjen puna kompania që ka fituar tenderin përdor mjetet e bashkisë, merr paratë e bashkisë dhe prapë nuk e pastron. Dhe më e tmerrshmja ishte që pamë në mëngjes më Endritin, në vend që përfaqësuesit e bashkisë të dilnin dhe të thonin që ne po punojmë, po mundohemi e po marrim nga një lopatë që të pastrojmë rrugën, kishte postuar foto që i bënte reklamë biznesit të vet. Promovimi i biznesit është shumë i mirë, por promovo njëherë hallet dhe problemet që ka qyteti, për t’i zgjidhur çfarë kanë qytetarët, pastaj promovo bizneset e tua private.

Por as reshjet e dëborës, tha Kryemadhi nuk do i ndalojë takimet derë më derë, për të bindur qytetarët ti drejtohen kutive të votimit me 25 prill.

“Në këtu jemi për të biseduar se pavarësisht vështirësive që kemi gjatë gjithë kohës, qoftë ju që jeni studentë me provime, maturantët që kanë provimet, ne që merremi me fushata, jemi të gjithë në një pikë të përbashkët, për të sensibilizuar njerëzit shpi më shpi, për ti dërguar në 25 prill në kutitë e votimit. Nuk na ndal asgjë, bora na jep frymëzim” u shpreh Kryetarja e LSI.