Reshjet e dëborës, Meta thirrje qeverisë: Ndihmoni familjet e izoluara! Prokuroria të reagojë ndaj zyrtarëve që braktisin njerëzit

Reshjet e dëborës, Meta thirrje qeverisë: Ndihmoni familjet e izoluara! Prokuroria të reagojë ndaj zyrtarëve që braktisin njerëzit

1612814688_ilirmeta.jpeg

Lidhur me situatën e motit të keq në venin tonë ka reaguar kreu i shtetit Ilir Meta. Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ai i bën thirrje qeverisë që të reagojë sa më shpejtë dhe të ndihmojë të gjitha familjet dhe qytetarët e bllokuar nga dëbora.

Gjithashtu një thirrje ka dhe për prokurorinë të nisë hetimet për të gjithë zyrtarët të cilët kanë shpërdoruar detyrën, duke iu referuar kompanive kontraktore të cilët nuk kanë marrë masa për pastrimin e rrugëve.

Postimi i plotë i Presidentit:

TË NDIHMOHEN QYTETARËT DHE FAMILJET E IZOLUARA NGA DËBORA! PROKURORIA TË REAGOJË NDAJ ZYRTARËVE, QË BRAKTISIN NJERËZIT NË NEVOJË! Dëbora, që po bie në të gjithë Shqipërinë, për fat të keq nuk ka gjetur asnjë strukturë operacionale të pushtetit qendror e vendor dhe kompani me detyrime kontraktore në krye të detyrës për të garantuar funksionimin normal të akseve rrugore.

Dhjetëra drejtues mjetesh raportohet nga terreni të jenë të bllokuar në segmente rrugore, si dhe shumë familje janë izoluar në Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Malësi e Madhe, Shkodër, Mirditë, Librazhd, Skrapar, Korçë, Devoll, Ersekë, Përmet e Vlorë. Temperaturat po shkojnë drejt uljes ekstreme dhe vështirësitë po shtohen, ndërkohë Qendra Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Sallat e Policisë nuk po ju përgjigjen telefonatave të qytetarëve në nevojë.

Strukturat qeveritare përgjegjëse për Mbrojtjen Civile jo vetëm nuk njoftojnë publikun për alarmin e dhënë nga Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, por nuk angazhojnë asnjë strukturë operacionale për ndihmë në zonat e bllokuara. Disa ditë më parë IGJEUM, ashtu si edhe gjatë gjithë periudhës janar-shkurt ka dhënë alarmin, për përkeqësim të motit me reshje intensive shiu dhe dëbore me stuhi, në të gjithë territorin, në datat 12-13 shkurt, duke shkaktuar përmbytje në zonat e Ultësirës Perëndimore e konkretisht në rajonin e NënShkodrës, por dhe bllokime të segmenteve rrugore nga dëbora, si dhe izolime të rajoneve të ndryshme në veri, verilindje dhe juglindje të Shqipërisë.

Nga strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës e Energjisë dhe Ministrinë e Bujqësisë nuk po komunikohet me strukturat vendore për të vlerësuar paralajmërimet e IGJEUM, për përmbushjen e detyrimeve ligjore në ndihmë të popullatës në nevojë dhe drejtuesve të automjeteve dhe familjeve të bllokuara. Është përgjegjësi e strukturave shtetërore për informimin në kohë dhe menaxhimin e situatave problematike për shkak të motit.

Bllokimi i rrugëve nga dëbora dhe mos reagimi i strukturave qendrore e vendore, si dhe i kompanive private me detyrime kontraktore, duhet të zgjojë Prokuroritë e Rretheve për të proceduar penalisht përgjegjësit e braktisjes së qytetarëve në mëshirë të fatit. Është e patolerueshme dhe e dënueshme, që me dhjetëra familje me të moshuar e fëmijë, të kalojnë natën në makina të bllokuara nga dëbora, vetëm se strukturat qeveritare e vendore nuk kanë marrë asnjë masë. Ju bëj thirrje të gjithë zyrtarëve përgjegjës, të cilët kanë detyrime për Mbrojtjen Civile, të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e detyrës shtetërore duke ju shkuar në ndihmë të gjithë qytetarëve në nevojë.


Lajmi kryesor:

Dëbora përfshin Shqipërinë! Probleme në disa akse kombëtare, zonat problematike! Ndalohet qarkullimi i mjeteve të rënda deri të hënën


E.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë