Reshjet e shiut kanë rënë gjatë orëve të pasdites, pothuajse në të gjitha qarqet e vendit, ndërsa në lartësitë mbi 1000 ka rënë dëborë. Sipas njoftimit më të fundit të Ministrisë së Brendshme, në përgjithësi rrugët kombëtare janë të qarkullueshme, por në disa akse ka patur vështirësi për shkak të ngricës së shfaqur në rrugë.
Sakaq të gjitha subjektet e kontraktuara kanë vënë në dispozicion mjetet dhe forca pune, si dhe kanë trajtuar me kripë, segmentet ku ka patur akull dhe ngrica. Zonat më të prekura kanë qenë në veri dhe verilindje të vendit, por është prekur edhe qarku i Korçës, kryesisht rrethi i Devollit.
Pjesa veriore dhe juglindore e vendit u pwrfshi nga reshjet e dëborës prej mëngjesit të së dielës, çka solli edhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve në disa nga akset kryesore në qarqet e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, kryesisht në akset Korçë-Dardhë, Bilisht-Kapshticë, Krumë-Qafë Prush (Kosovë), Kukës-Shishtavec si dhe Qafë Thore-Theth, në Shkodër.
Strukturat e Policisë së Shtetit, të Emergjencave Civile bashkë me ato të pushtetit lokal, po punojnë për lehtësimin e gjendjes, duke angazhuar forca dhe mjete për pastrimin e rrugëve.
Ora 19.30 Situata në akset kryesore sipas qarqeve
Qarku Kukës - Prej orëve të mëngjesit ka patur reshje shiu me intesitet të ulët. Kjo ka bërë që në qytetet të shkrijë një pjesë e dëborës së rënë gjatë natës. Lartësia e dëborës në qytet varion: Kukësi 13 cm, Hasi 18 cm, Tropoja 21 cm. Në lartësitë mbi 700 m ka patur reshje të dobëta flokësh dëbore.Temperaturat 5 deri 9 gradë celsius.
Situata në akset rrugore - Në "Rrugën e Kombit" qarkullimi bëhet pa zinxhirë, sepse edhe dëbora e rënë ka shkrirë kurse në segmentin Kalimash-Morinë po punojnë 6 borëpastruese; Kukes - Vasije - Draj Reç po punojnë 4 borëpastruese e 1 fadromë; Kukes - Ura Zapod punojnë 2 mjete, 1 fadromë e 1 borëpastruese; Kolsh - Qafë Shllak 2 borëpastruese e 1 fadromë; Krume-Qaf Prush-Kam punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë, aksi është i qarkullueshëm por ka pasur ngrica dhe akull në drejtim të Qaf Prushit; B.Curri-Ura e Dushaj-Fierze-Lekbibaj punon një fadromë; B.Curri-Kam punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë; B.Curri-Valbonë punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë; B.Curri-Qaf Morine punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë; Ura Drini Zi - Krume punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë.
Rrugët në administrim të Bashkive, në përgjithësi të gjitha janë të qarkullueshme por në fshatrat në lartësi të mëdha, ka probleme. Në të gjitha territoret e qyteteve po punojnë mjetet për hapjen e rrugëve brenda tyre.
Qarku Dibër - Moti është me vranësira dhe reshje të dobëta shiu lokale. Trashësia e dëborës në Lurë është 8 cm dhe në Kalanë e Dodës, trashësia e dëborës 10 cm. Në rrethin e Bulqizës dhe të Burrelit ka reshje të dobëta shiu.
Situata në akset rrugore - Aksi kombëtar Peshkopi - Bllatë - Maqellarë - Qafë Bualli është i kalueshëm pa probleme; aksi kombëtar Peshkopi - Kala e Dodes ka qenë i qarkullueshëm, por në disa segmente ka patur probleme për shkak të terrenit të thyer e te ngricave; aksi rrugor rural Lurë -Arras nuk është i kalueshëm, por lidhja bëhet nga segmenti tjetër rrugor Lurë -Kurbnesh - Rëshen, i cili është i kalueshem.
Ne zonat e thella të Bashkisë Dibër si Lurë, Selishtë, Kala e Dodes ka vetëm reshje shiu. Në lumenjtë prurjet nga reshjet janë minimale dhe nuk ka probleme të daljes së tyre nga shtrati. Situata e furnizimit me energji elektrike nuk ka probleme.
Qarku Korçë - Të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të kalueshme.
Aksi kombëtar Qafë Thanë - Korçë nuk ka probleme dhe mirëmbahet nga 7 mjete borëpastruese; në aksin Korçë - Kapshticë punojnë 3 mjete borëpastruse; në aksin Korçë - Ersekë punojnë 2 mjete; dhe në aksin Ersekë - Çarçovë 2 mjete; në aksin rrugor Zëmlak - Liqenas - Dogana Goricë punojnë 2 mjete; kurse në një pjesë të aksit rrugor Boboshticë - Dardhë kalimi kryhet me zinxhirë, për mirëmbajtjen e rrugës punon 1 mjet fadromë.
Subjektet kontraktore po trajtojnë rrugët me kripë dhe kanë në gatishmëri, të gjitha forcat dhe mjetet. Situata e furnizimit me energji elektrike nuk ka probleme.
Qarku Shkodër - Në qarkun e Shkodrës të gjitha akset kombëtare rrugore janë të kalueshme, vetëm në aksin rrugor Bardhoc - Iballë ka probleme në qarkullimin rrugor për shkak të prezencës së dëborës. Në këtë aks po punon 1 borëpastruse.
Në aksin Fushë Arrëz - Qafë Mali - Qafë Shllak – Fierzë ka prezencë të dëborës në rrugë dhe kalimi i mjeteve bëhet me vështirësi për shkak se në disa segmente ka ngricë.
Rrugët rurale kanë vështirësi në qarkullim për shkak të prezencës së dëborës, sidomos në disa segmente rrugore të njësive administrative Shosh, Shalë. Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit.
Ora 18.15 Moti i keq, Haxhinasto inspekton tunelin e Kalimashit
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ka inspektuar nga afër situatën e krijuar në Rrugën e Kombit, si pasojë e rreshjeve të dëndura të dëborës që janë rregjistruar gjatë orëve e fundit. Ministri theksoi se pavarësisht rreshjeve të dëborës rruga është e hapur, ndërsa ka dhe angazhim të plotë dhe nga kompania mirëmbajtëse, që qarkullimi në këtë aks të rëndësishëm mos të ketë probleme.
Ministri ju bëri apel drejtuesve të automjeteve që t'i referohen edhe buletinit ditor të Autoritetit Rrugor Shqiptar, për gjendjen e rrugëve. Por duhet që gjithashtu të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe sinjalistën. Ministri Haxhinasto tha se për të përballuar sa më mirë gjendjen, strukturat shtetërore dhe emergjencat civile janë në gadishmëri.