Një 31-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Durrësit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pas zbardhjes së 4 vjedhjeve të ndodhura gjatë muajit tetor.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se 2 autorët vodhën në 4 markete e lokale brenda një jave shuma parash dhe sende me vlerë.

Të dy autorët janë banues në Kavajë, ndërkohë që grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që këta 2 persona mund të kenë kryer.

Njoftimi i Policisë:

Durrës / Finalizohet operacioni policor i koduar “Periudha”, zbardhen 4 vjedhje të ndodhura gjatë muajit tetor 2026.

Vodhën në katër subjekte, brenda një jave, shuma parash dhe sende me vlerë; vihet në pranga autori i dyshuar dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, në kuadër të operacionit policor të koduar “Periudha”, u bë e mundur zbardhja e 4 rasteve të vjedhjes, të ndodhura gjatë periudhës 17 deri më 21 tetor 2026, në 4 biznese në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Në kuadër të operacionit u bë ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. B., 31 vjeç, banues në Hajdaraj, Kavajë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi A. S., 31 vjeç, banues në Kavajë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës 17.10.2026–21.10.2026, kanë vjedhur në markete dhe lokale shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë