Fundjava e dytë e shtatorit ka nisur me një fluks të shtuar të lëvizjeve në të dyja anët e kufirit të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Pavarësisht reshjeve të shiut dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, lëvizjet e automjeteve dhe qytetarëve kanë vijuar me intensitet të lartë, si në hyrje, ashtu edhe në dalje.

 Fluksi më i madh është evidentuar në drejtim të Shqipërisë, ndërsa një numër i konsiderueshëm automjetesh është konstatuar që në orët e para të fundjavës edhe në pikën kufitare të Kosovës.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Kukës, vetëm në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 12 mijë e 762 qytetarë të Kosovës dhe 4 mijë e 201 mjete.

Ndërkohë, në pikën kufitare të Vërmicës, kanë dalë nga Shqipëria në drejtim të Kosovës, 8 mijë e 130 shtetas të Shqipërisë, me 2 mijë e 740 mjete.