Moti i keq/ Lumi Ishëm del nga shtrati! Vijojnë të pezulluara lundrimet në Vlorë e Durrës! Disa fshatra pa energji! (VIDEO)

Moti i keq ka shkaktuar probleme në disa qytete të vendit.  Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë pasdites së djeshme, të cilat kanë vazhduar përgjatë gjithë natës në të gjithë rrethin e Krujës, ka dalë nga shtrati lumi Ishëm duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:00
Baticat 'gllabërojnë' plazhin në Tale, uji u afrohet bizneseve

Moti i keq ka sjellur dallgë të mëdha në detin e Tales në Lezhë. Gjatë kësaj të mërkure uji i detit ka mbuluar të gjithë brezin e rërës duke dalë deri tek zonat e banuara.

Shkak është bërë batica detare në këtë zonë e cila nisi që prej orës 12:00 të mesditës. Niveli i ujit ka arritur deri në 50 cm në zonën e plazhit.

Uji i është afruar banesave dhe bizneseve. Gazetari i Report Tv bën me dije se nëse batica vijon të jetë aktive rrezikohet përmbytja e zonës së banuar.

Situata e krijuar po monitorohet nga Emergjencat Civile. Ata janë vënë në gadishmëri për të ndërhyre në zonat ku mund të krijohen probleme.

Fenomeni i baticave detare ka nisur të përsëritet shpesh herë gjatë viteve të fundit në Lezhë. Në 2010 deti përmbyti dhjetra banesa në Ishull-Shëngjin, Tale dhe Fushe Kuqe, dërsa dëmet e shkaktuara ishin të konsiderueshme në këto zona.

Ora 12:32
Moti i keq/ Rrëshqasin gurët në rrugën Poliçan-Skrapar, bllokohet qarkullimi i automjeteve

Reshjet e shiut kanë shkaktur probleme në rrugën nacionale Berat-Skrapar, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve, për shkak të rrëshqitjes së masivëve të gurëve të cilët kanë bllokuar njërin kah të rrugës përgjatë aksit Poliçan-Skrapar. Kjo rrugë,jo vetëm që ka sjellë vështirësi në qarkullimin e automjereve por shpesh herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh për drejtuesit e mjeteve që kalojnë për herë të parë në këtë rrugë. Vetë drejtuesit e mjeteve shprehen se,ata përballen çdo vit me këtë situatë të rëduar si rezultat i rrëshqitjeve të masivëve me gurë nga faqja shkëmbore në anë të kësaj rruge,por edhe pse kjo situatë përsëritet çdo vit,askush nuk ka marrë masa për izolimin e faqes shkëmbore me mbajtëse hekuri. Sipas shoferëve,kjo rrugë ëshë burim aksidentesh në ditët me shi.

Ora 12:29
Erërat e forta lënë në errësirë Fushë-Krujën

Erërat e forta në Fushë Krujë kanë sjellë ndërprerje të energjisë elektrike në këtë qytet. Si pasojë e erëave të forta është dëmtuar rrjeti i furnizimit me energji elektrike, ndërsa nuk raportohet për dëme të tjera.

Ora 10:33
Furtuna rrëzon shtyllat elektrike në Vlorë, këto zona kanë mbetur pa energji

Vlora vijon të jetë një nga rajonet më të prekura nga moti i keq. Reshjet e forta, shoqëruar me stuhi dhe shkarkesa atmosferike dëmtuan rrjetin elektrik në disa zona, kryesisht përgjatë bregdetit por edhe ne Lumin e Vlorës.

Ndërkohë OSHEE njofton se si pasojë e motit të keq ka patur pasoja të mëdha në rrjetin elektrik.

Sipas OSHEE konkretisht në Nartë, janë rrëzuar shtylla, në Himarë është stakuar fideri 1, në Dhërmi te pedonalja është shembur një kabinë (pranë Havana), Qeparoi dhe Kudhës janë pa dritat pas dëmtimit të fiderit 6 pranë Porto Palermos, në Rradhimë është shkëputur përcjellësi Tm, pjesë e fiderit 2, kurse në Selenicë kemi probleme në kabinën “Resulaj”, gjithashtu fshatrat Bolene dhe Vranisht.

Për të kthyer në normalitet situatën me energjinë dhe për të riparuar dëmet e shkaktuar nga furtuna, janë ngritur grupe pune edhe pse në kushte jo të favorshme.

Ora 09:53
Gjirokastër/ 11 fshatra vijojnë të mbeten pa energji elektrike si pasojë e motit të keq


Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta në qarkun e Gjirokastrës. Problemet kryesore janë me energjinë elektrike. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ndërprerje energjie ka patur në fshatrat: Ballaban, Luare, Podgoran, Suke, Seniçan, Deshnice, Maleshovë e Këlcyrë.

Në Bashkinë Tepelenë probleme me energjinë elektrike kanë fshatrat: Kurvelesh, Lopës. Ndërsa rrugët janë të gjitha të kalueshme.

Në Bashkinë e Memaliajt pa energji elektrike kanë mbetur zonat përreth fshatit Qesarat.

Për sa i përket energjisë elektrike në Bashkinë e Libohovës, probleme ka patur në disa fshatra.

Ora 09:05
Situata nga moti i keq/ Mbetet i pezulluar lundrimi në Vlorë, probleme me energjinë në Llogara

Në Vlorë vijon të jetë i pezulluar lundrimi detar për shkak të motit të keq dhe dallgëzimit në det. Trageti i linjës Vlorë-Brindisi edhe sot nuk ka lundruar në drejtim të Vlorës, ndërsa anijet e peshkimit sërish nuk janë lejuar nga Kapiteneria që të dalin në det.

Ndërkohë për sa i përket situatës me qarkullimin rrugor, nuk janë shfaqur probleme. Zona e Llogarasë është lehtësisht e kalueshme, ndërsa në disa fshatra vijon mungesa e energjisë elektrike që prej ditës së djeshme për shkak të dëmtimit të rrjetit.

Ora 08:43
Moti i keq në Durrës/ Asnjë lundrim përgjatë natës


Moti i keq ka vijuar edhe përgjatë natës në qytetin e Durrësit. Si pasojë asnjë traget nuk u nis nga Durrësi për në Bari apo anasjelltas.

Era e fortë 74km/h,  ka shkaktuar dallgë në det, që shkojnë deri në 7-8 ballë. Përveç problemeve në port, në qytet dhe në fshatrat përreth nuk është raportuar për dëme.

Ora 08:42
Lumi Ishëm del nga shtrati/ Përmbyten disa hektarë në tokë, disa shtëpi mbeten të izoluara

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë pasdites së djeshme, të cilat kanë vazhduar përgjatë gjithë natës në të gjithë rrethin e Krujës, ka dalë nga shtrati lumi Ishëm duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore.

Nga reshjet e shumta edhe rruga e lagjes fundore të këtij fshati është mbuluar nga uji, ndërsa disa shtëpia kanë mbetur të izoluara.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Fier/ 18- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku

Fier/ 18- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku