1763369718_reshjeshiu.jpg

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar qytetarët për reshje intensive që priten gjatë javës, sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale Mbrojtja thekson se sot qarqet më të rrezikuara do të jenë Shkodra, Lezha dhe Vlora, me reshje mesatare deri intensive. Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër, reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta.

Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë reshjet do të përhapen në të gjithë vendin, me intensitet më të lartë në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. 

Një ditë më parë Autoriteti Portual i Vlorës njoftoi se për shkak të përkeqësimit të motit deri më 19 nëntor është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda Gjirit të Vlorës në det të hapur. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

"Sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), ditën e hënë, 17 nëntor 2025, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.

Në qarqet e tjera parashikohen reshje të dobëta. Intensiteti pritet të rritet në orët e pasdites. Ditën e martë, 18 nëntor 2025, parashikohen reshje të shtuara në të gjithë territorin e vendit: Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.

Në Lezhë priten reshje intensive. Në qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është e angazhuar në monitorimin, koordinimin e masave parandaluese dhe reagimin në kohë në rast të përshkallëzimit të situatës", thuhet në njoftim. 


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Ministrat takim me 12 prefektët e kryebashakiakët: Të koordinohemi për menaxhimin e situatës! Mbetën të bllokuar në një aks të Shkodrës, evakuohen 9 persona


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:45
Moti i keq, Lezha në gatishmëri për çdo situatë! Rrezik përmbytjesh në Zadrimë, Bregun e Matës dhe Fushë-Kuqe

Moti i keq me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë pritet të përfshijë edhe Qarkun e Lezhës, duke nisur nga mesnata e së hënës.

Sipas parashikimeve meteorologjike, situata mund të sjellë probleme në disa zona të ulëta, ndaj strukturat e Mbrojtjes Civile në të tre bashkitë e qarkut janë vënë në gatishmëri të plotë.

Strukturat po monitorojnë veçanërisht funksionimin e hidrovoreve, si dhe furnizimin me energji elektrike të popullatës, ndërsa ekipet në terren janë gati të ndërhyjnë në rast nevoje.

“Jemi njoftuar se qarku jonë do të përfshihet me reshje të dendura shiu, shoqëruar me erëra të forta.  Të shtatë hidrovoret në të gjithë qarkun janë në gatishmëri të plotë. Jemi në gatishmëri të plotë non stop. Kemi edhe një numër kontakti për çdo gjë apo nëse kemi ndonjë përkeqësim të situatës”, tha Nikoll Tushi, përgjegjës i Mbrojtjes Civile

Zonat më të rrezikuara nga përmbytjet mbeten Zadrima dhe Bregu i Matës në Bashkinë Lezhë, si dhe Fushë-Kuqja në Bashkinë Kurbin. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për situatën që mund të krijohet.