Aktivistja Luçiana Kokaj, e cila është edhe një prej organizatoreve të protestave që janë zhvilluar në Rrjoll të Velipojës kundër ndërtimit të resortit të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, është shprehur se pavarësisht tubimeve të zhvilluara, puna për ndërtimin e resortit po vijon.

Komentet Kokaj i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se e gjithë zona ku do të ndërtohet resorti është rrethuar me kangjëlla hekuri e beton.

Kokaj tha gjithashtu se ka nisur hedhja e themeleve për disa prej objekteve që do të ndërtohen aty, teksa zbuloi se emri i resortit nuk është më ‘Blu Borgo’, por është ndryshuar në ‘Baks Bay’.

“Sot resorti është bërë fakt aty. Rrethimi është bërë me kangjëlla e beton i gjithë zonës ku do ndërtohet. Kanë filluar të hedhin themelet e disa prej pallateve që do ndërtohen aty. Ka filluar edhe procesi i shitjes për ‘Baks Buy’. Sepse emri nuk është më ‘Blu Borgo’, por ‘Baks Bay’. Po ofrohet shitje e pronave në Rrjoll nën emrin ‘Baks Buy’. Për të tjetërsuar të vërtetën dhe historinë kanë ndryshuar emrin”, tha mes të tjerash Kokaj.

Më tej Kokaj teksa akuzoi biznesmenin Bashkim Ulaj për vjedhje të tokës së banorëve të Rrjollit, ajo u bëri thirrje shqiptarëve që të bojkotojnë blerjet në ‘Baks Bay’ resort.

"Ta dinë të gjithë shqiptarët, që kur të shohin atë resortin e bukur që po reklamohet nga ato agjencitë imobilare, është resorti që po ndërtohet në tokën tonë të vjedhur. Është çështje pronësie por edhe çështje mjedisore shumë e rëndësishme Rrjolli. Rrjolli bën pjesë në zonën e mbrojtur në Velipojë. Edhe aty ka shpendë të veçanta, jo sa flamingot, por sërish janë të rëndësishme”, shtoi Kokaj.