Banorët e Rrjollit i janë rikthyer protestave teksa e nisën me një të tillë përpara prokurorisë Shkodër duke kundërshtuar ndërtimin e resortit të biznesmenit dhe botuesit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulaj.
Protestuesit thanë se prej 12 shtatorit do të protestojnë vazhdimisht dhe do të bllokojnë punimet në kantierin e resortit.
“Nga 12 shtatori e mbrapa ne do të jemi çdo ditë në bllokim të çdo mjeti që hyn në kantierin e Rrjollit. Kamionistët që hyjnë aty do të kenë pasoja nga më të ndryshmet”, tha Molla.
Ata i bëjnë thirrje SPAK që të hetojë çështjen. Po ashtu kërkojnë nga prokuroria e Shkodrës që të mos zvarrisë procesin dhe ta çojë në gjykatë dosjen për pretendimet e tyre.
“Sot jemi mbledhur para prokurorisë se nuk e ndalojmë protestën. Këtuështë vendi ku kemi kërkuar drejtësi, por këtu s’ka drejtësi por korrupsion të paparë. Sot kemi ardhur për të takuar titullarin për të na dhënë një përgjigje. E vërteta është që të gjitha kallëzimet që kemi bërë ne, duam të dimë vetëm të vërtetën, e kemi shkruar në letër, në protestë. Dokumentet janë të falsifikuara. Ato dokumente që është fituar ajo pronë, janë të falsifikuara. Nëse Prek Molla do të ishte i paditur nga Fatmir Shpellzaj, unë do të isha sot në burg për falsifikim dokumentesh. Pse nuk e bën Fatmir Shpellzaj, përse nuk e bën Bashkim Ulaj? Në këtë pronë do të ketë vetëm një pronar!”, tha Prek Molla.
“Ne kërkojmë drejtësi. Prona është jona, nuk e lëshojmë! S’është e Bashkim Ulajt, s’është e Fatmir Shpellzajt! Duhet të na japin drejtësi!”, tha një banore.
Protestuesit i drejtuan edhe një thirrje kryeministrit Rama duke i kërkuar që t'i presë në zyrë meqë kreu i qeverisë pretendon se resorti në Rrjoll që po ndërtohet ka dokumentacionin e duhur dhe do t’ia provojnë të kundërtën përmes dokumenteve.











Komente
Komento