Avokati i banorëve të Rrjollit thonë se GJKKO ka urdhëruar SPAK të regjistrojë procedim penal dhe të nisë hetimet për resortin “Blu Borgo” në Rrjoll të Velipojës, që po ndërtohet nga kompania “Gener 2” e botuesit dhe ndërtuesit Bashkim Ulaj.

SPAK më herët kishte vendosur që kallëzimin e banorëve t'ia kalonte për kompetencë Prokurorisë së Shkodrës. Banorët e ankimuan këtë vendim në GJKKO, e cila sipas avokatëve të tyre, ka pranuar ankimin dhe ka urdhëruar SPAK të regjistrojë procedimin penal.

“Përshëndesim GJKKO për vendimin e sotëm që mori, fillimin e hetimeve, regjistrimin e procedimit penal për sa i përket taksës së infrastrukturës, lejes së ndërtimit, për mënyrën si është bërë dhe si është marrë, edhe dëgjesa publike që është falsifikuar nga Bashkim Ulaj e Fatmir Shpellza”, thotë avokati Ndue Pjetra, i shoqëruar nga banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj.

Banorët pretendojnë se rreth 146 hektarë tokë ku po zhvillohet projekti u janë marrë përmes dokumenteve të falsifikuara nga ish-zyrtari i Kadastrës Fatmir Shpellza dhe më pas i janë shitur botuesit pranë familjes Berisha, Bashkim Ulaj.

Resorti në Rrjoll është planifikuar në një sipërfaqe prej rreth 147 hektarësh, me 33 godina rezidenciale dhe një hotel. Punimet kanë nisur prej muajsh, ndërsa banorët vijojnë ta kundërshtojnë projektin duke pretenduar pronësinë mbi tokën.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë