Qeveria ka reaguar për herë të parë për debatet dhe protestat e organizuara për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e Zvërnecit në Vlorë. Ishte kryeministri Edi Rama, që teksa prezantoi kompaninë e re shtetërore “Albanian Digital Solution”, iu përgjigj edhe kritikave për këtë projekt, duke mohuar pretendimet se shteti po fal tokën publike.

Kryeministri tha se bëhet fjalë për pronë private dhe jo për transferim pasurie shtetërore, duke theksuar se investitorët në fjalë janë seriozë.

“Zhurmën për një lajm të rremë, po flas Zvërnecin, shteti nuk po fal asgjë. Ajo është pronë denbabaden private. Investitorët e përfshirë në atë proces janë tejet serioz që atë pronë e kanë marrë nga privatët”, tha Rama.

Kompania zhvilluese e këtij projekti është “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka nisur në zonë punimet përgatitore dhe rrethim kantieri, bazuar në lejen e lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Në këtë zonë ka shfaqur interes për të ndërtuar edhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, por nuk ka lidhje me investimin tjetër që po kontestohet. Vetë Rama tha se me kompainë e Kushner ende nuk ka mbaruar negociata dhe se shteti do të jetë aksioner në resortin turistik që do të ndërtohet në Sazan.

“Shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit, ku ende sot nuk ka mbaruar negociata pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit. Dhe toka e ishullit do jetë aty e shtetit shqiptar”, tha Rama.