Durrësit i është kthyer sot një nga simbolet më të rëndësishme të trashëgimisë së tij kulturore. Pas restaurimit të plotë, Muzeu Arkeologjik u rihap me një ekspozitë të re dhe hapësira moderne, duke sjellë në jetë mbi 3,200 artefakte që rrëfejnë historinë e qytetit antik.
“Sot e mbyllim ciklin dhe jemi rikthyer aty ku kemi filluar, vendin ku është prezantuar EU4 Culture që është Muzeu Arkeologjik i Durrësit. Kultura është e rëndësishme për të krijuar një identitet evropian që është me shumë shtresa”, u shpreh Silvio Gonzato, ambasador i BE-së.
“Si Kombet e Bashkuara në Shqipëri, jemi krenarë që mbështesim restaurimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit përmes programit EU4Culture — një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë dhe qëndrueshmërisë së pasur të Shqipërisë. Gjatë pesë viteve të fundit, EU4Culture, një partneritet ambicioz midis Bashkimit Evropian, Qeverisë së Shqipërisë dhe UNOPS, ka restauruar 23 objekte të trashëgimisë, ka krijuar mbi 64,000 ditë pune dhe ka angazhuar më shumë se 12,000 njerëz, shumë prej të cilëve përmes iniciativave të udhëhequra nga gratë. Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të gjenerojë përfitime të qëndrueshme kulturore, ekonomike dhe sociale për Durrësin dhe më gjerë. Ky investim nuk është vetëm në trashëgiminë kulturore, por edhe në mirëqenien dhe prosperitetin e njerëzve dhe komuniteteve.”, tha Ingrid Macdonald, koordinatorja rezidente e OKB-së në Shqipëri.
Muzeu i rikonstruktuar ofron një koncept të ri ekspozimi dhe teknologji moderne për vizitorët. Kryeministri Edi Rama theksoi se ndërhyrja në muze është pjesë e një transformimi më të gjerë të trashëgimisë kulturore në vend.
“Një ringritje që u bë e mundur falë solidaritet dhe bashkëunimit të ngushtë me BE që na vuri në dispozicion programin EU4Culture dhe ne gjithçka na takonte me projektet e duhura dhe vullnetin e duhur të çojmë përpara, vazhdojmë të çojnë përpara sepse ka ende disa objekte që janë në proces, një punë transformuese që flet vetë siç flet ky muze që së brendshmi është rikrijuar duke pasuruar linjën muzeale dhe duke e sjellë në një nivel të ri. Ky ka qenë qëllimi qoftë për familjet që u dëmtuan, qoftë për institucionet, qoftë për objektet e trashëgimisë kulturore që atë fatkeqësi dhe pasojat e saj t’i transformojmë në një mundësi të re për të ndërtuar më mirë, më bukur dhe objekte më rezistente.
Europa nuk është gjithmonë pa zemër, zemrën e ka, por e ka thellë dhe duhet durim e vullnet për ta arritur dhe për t’ia ndier rrahjes. Është e sigurt se ajo zemër rreh dhe për t’u bërë pjesë e qarkullimit të gjakut të asaj zemre është pjesë e misionit kombëtar yni që vjen nga një histori e gjatë, pjesë e së cilës është edhe ky muze si dëshmitar i saji", tha Rama.
Projekti u realizua falë financimeve nga programi EU4Culture, pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019. Unops, një agjenci e Kombeve të Bashkuara ndoqi zbatimin, i cili në të vërtetë zgjati afro tre vjet përtej afatit. Shkak u bë mungesa e pronësisë mbi Muzeun.
“Historia e këtij muzeu është si historia e Shqipërisë, ku godinës kanë dashur t’i rrëmbejnë edhe titullin e pronësisë, të cilin me mundim ia siguruam në vitin 2024, një vend ku kishte më shumë ngrehina informale në oborr sesa pavijone muzeale brenda”, tha Blendi Gonxhja.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit, më i madhi në Shqipëri, përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, duke u kthyer tashmë në një hapësirë moderne që lidh të kaluarën me të ardhmen.
Komente










