Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato, ishin të pranishëm në përurimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, të restauruar rishtazi.
Rama tha se restaurimi është një ringritje për trashëgiminë kulturore, ndërsa vijon puna në transformimin e objekteve të tjera.
“Një ringritje që u bë e mundur falë solidaritet dhe bashkëunimit të ngushtë me BE që na vuri në dispozicion programin EU4Culture dhe ne gjithçka na takonte me projektet e duhura dhe vullnetin e duhur të çojmë përpara, vazhdojmë të çojnë përpara sepse ka ende disa objekte që janë në proces, një punë transformuese që flet vetë siç flet ky muze që së brendshmi është rikrijuar duke pasuruar linjën muzeale dhe duke e sjellë në një nivel të ri. Ky ka qenë qëllimi qoftë për familjet që u dëmtuan, qoftë për institucionet, qoftë për objektet e trashëgimisë kulturore që atë fatkeqësi dhe pasojat e saj t’i transformojmë në një mundësi të re për të ndërtuar më mirë, më bukur dhe objekte më rezistente”, tha Rama.
Ndërhyrja në godinën e muzeut pas tërmetit të vitit 2019 u bë e mundur nëpërmjet programit “BE për Kulturën”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS-i, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve.
Rama tha se Europa e ka zemrën thellë dhe të bërit pjesë në qarkullimin e saj të gjakut është mision kombëtar.
“Europa nuk është gjithmonë pa zemër, zemrën e ka, por e ka thellë dhe duhet durim e vullnet për ta arritur dhe për t’ia ndier rrahjes. Është e sigurt se ajo zemër rreh dhe për t’u bërë pjesë e qarkullimit të gjakut të asaj zemre është pjesë e misionit kombëtar yni që vjen nga një histori e gjatë, pjesë e së cilës është edhe ky muze si dëshmitar i saji”, tha kryeministri.
Gonzato tha se kultura do të vijojë të jetë thelbësore në rrugëtimin e Shqipërisë.
“Nuk është fundi i rrugëtimit, kultura do të vijojë të jetë thelbësore sepse krijon një identitet të përbashkët evropian. Tani u takon partnerëve shqiptarë që të marrin rolin udhëheqës që të mbajnë gjallë këto objekte të rigjallëruara”, tha Gonzato.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është muzeu arkeologjik më i madh në Shqipëri.I themeluar në vitin 1951, muzeu ka një koleksion të pasur me objekte që datojnë nga periudha parahistorike deri në shekullin IV pas Krishtit.
Këto objekte janë zbuluar kryesisht në sitin antik të Dyrrahut, i njohur ndryshe si Dyrrhachium, dhe përfshijnë artefakte nga periudhat helenistike, romake dhe bizantine.
Lajm në përditësim...
Komente










