“Karakolli” në Fushën e Çajupit, një monument i rrallë kulture në zemër të Zagorisë, është restauruar për herë të parë pas përfundimit të punimeve nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.
Objekti, i shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, konsiderohet një dëshmi e rëndësishme historike dhe arkitekturore për zonën. Restaurimi synon ruajtjen e strukturës dhe rikthimin e vlerave origjinale të ndërtesës.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha të dielën se ndërhyrja ka bërë të mundur ruajtjen e integritetit të objektit dhe rikthimin e vlerave të tij, duke i dhënë jetë një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
"DRTK Gjirokastër ka përfunduar punimet për restaurimin e “Karakollit” në Fushën e Çajupit, Monument Kulture i Kategorisë së Parë me vlera të veçanta historike dhe arkitekturore për zonën e Zagorisë. Kjo ndërhyrje mundësoi ruajtjen e integritetit të objektit dhe rikthimin e vlerave të tij, duke i dhënë jetë një dëshmie të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Restaurimi është realizuar për herë të parë për këtë monument, i cili mbetet objekti i vetëm i këtij lloji dhe një aset me potencial për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror në Fushën e Çajupit dhe në Zagori" shkroi ai në rrjete sociale
“Karakollët” njihen si ndërtesa të vogla të fortifikuara që ndërtoheshin përgjatë rrugëve të vjetra tregtare dhe të karvanëve, kryesisht në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Ato shërbenin si pika vrojtimi dhe kontrolli përgjatë këtyre akseve.
Restaurimi e kthen “Karakollin” e Fushës së Çajupit në një objekt me potencial për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror në zonën e Zagorisë.
Komente











