Për planifikimin e vrasjes së Ilaria Sulës, ish-i dashuri i saj, Mark Samson, është dënuar me burgim të përjetshëm. Vendimi u shpall nga Gjykata e Krimeve, pas tri orësh diskutimesh në dhomën e këshillimit, në sallën e sigurisë së lartë të burgut Rebibbia. 24-vjeçari akuzohet për vrasje me dashje, të rënduar nga paramendimi, motive të dobëta dhe marrëdhënia sentimentale me viktimën. Ndër veprat penale për të cilat akuzohet përfshihet edhe fshehja e kufomës. Samsoni, i përfaqësuar nga avokatët Paolo Foti dhe Alessandro Pillito, nuk ishte i pranishëm në momentin e leximit të vendimit.
Thika në tabakanë e mëngjesit
“Drejtësia u vu në vend, por asnjë vendim gjykate nuk do të na e kthejë vajzën tonë”, deklaruan Flamur dhe Gëzime Sula, babai dhe nëna e 22-vjeçares shqiptare, të përfaqësuar nga avokati Giuseppe Sforza, menjëherë pas shpalljes së vendimit.
Prindërit e Ilaria-s kanë ndjekur të gjitha seancat e procesit gjyqësor. Edhe miqtë dhe të afërmit e 22-vjeçares kanë qenë të pranishëm në të gjitha fazat e gjykimit. Ndërsa për të pandehurin nuk ishte i pranishëm askush, pasi prindërit e tij ishin kthyer në Filipine.
Vrasja ndodhi më 26 mars 2025. Ishte mëngjes dhe Sula kishte kaluar natën në shtëpinë e të pandehurit, pikërisht në dhomën e tij, në lagjen Africano të Romës.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga prokurorja Maria Perna, Samsoni kishte organizuar çdo hollësi të vrasjes. Ai e çoi tabakanë në dhomë me pretekstin se do t’i sillte mëngjesin. Mes takëmeve në tabaka ndodhej edhe një thikë. Sipas akuzës, ai e përdori atë pak çaste pasi hyri në dhomë, ndërsa Ilaria ishte me celular në dorë.
Përpjekja e Samson-it për të larguar dyshimet nga vetja
Fillimisht, ai e sulmoi duke e goditur tri herë me thikë në shpinë. Më pas, e qëlloi me grushte, ndërsa ajo ishte e shtrirë përtokë, e palëvizshme.
Që nga ai moment, Samsoni bëri gjithçka për të larguar dyshimet nga vetja. Ai e bindi nënën e tij, e cila u dënua me dy vjet burg për fshehjen e kufomës, që të pastronte vendin e krimit.
Më pas, u hoq qafe trupin e viktimës duke e futur në një valixhe dhe duke e hedhur në një greminë.
Prindërit e Ilarias u shqetësuan kur panë se vajza e tyre nuk po kthehej në shtëpi. Ata denoncuan zhdukjen e saj.
Në atë moment, Samsoni arriti deri aty sa të përqafonte babanë e Ilaria-s, duke i shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin për zhdukjen e vajzës së tij, ndërsa i thoshte se nuk kishte asnjë lidhje me zhdukjen e Ilaria-s.
Por këto gënjeshtra u shembën më 4 prill, kur Samsoni u arrestua pas gjetjes së trupit të Ilaria-s./Corriere

Pas shpalljes së vendimit të dënimit me burg përjetë për Mark Samson, 24-vjeçarin që vrau studenten shqiptare Ilaria Sula, nëna e saj, ka dhënë një mesazh për mediat italiane.
Mes lotësh e ngashërimash, Gëzime Sula shprehet se djemtë duhet t’i respektojnë e duan vajzat. Më pas, shpreson se dënimi i autorit do ta ketë qetësuar shpirtin e së bijës.
“Duhet t’i respektojnë vajzat. Duhet t’i respektojnë, duhet t’i duan, t’u japin dashuri. Mendoj se vajza ime meriton të jetë në paqe”, thotë ajo.
-
Burgu perjete ne Europe eshte enderr me sy hapur, shume kriminele dalin pas 10/15 vitesh burg. Ky tipi meritonte te denohej ne USA, me nje karrige elektrike gati.
Përgjigju










Komente
Komento