Franca i ka dorëzuar Libanit një propozim me shkrim që synon t'i japë fund armiqësive me Izraelin dhe të zgjidhë kufirin e diskutueshëm Liban-Izrael. Në një shkrim ekskluziv, agjencia e lajmeve Reuters, shkruan se Franca përmes këtij propozimi bën thirrje për tërheqjen e luftëtarëve, përfshirë njësinë elitare të Hezbollahut, 10 km (6 milje) nga kufiri.
Plani synon t'i japë fund luftimeve midis Hezbollahut të mbështetur nga Irani dhe Izraelit në kufi. Armiqësitë janë zhvilluar paralelisht me luftën në Gaza dhe po ushqejnë shqetësimet për një konflikt katastrofik dhe gjithëpërfshirës. Sipas Reuters, dokumenti iu dorëzua zyrtarëve të lartë të shtetit libanez përfshirë kryeministrin Najib Mikati nga ministri i jashtëm francez Stephane Sejourne javën e kaluar, thanë katër zyrtarë të lartë libanezë dhe tre zyrtarë francezë.
Ky propozim ka qëllimin e parandalimit të një konflikti "që rrezikon të dalë jashtë kontrollit" dhe zbatimin e "një armëpushimi të mundshëm" dhe në fund parashikon negociatat për përcaktimin e kufirit tokësor të diskutueshëm midis Libanit dhe Izraelit. Hezbollahu refuzon zyrtarisht negocimin e një de-përshkallëzimi deri në përfundimin e luftës në Gaza.
Ndërsa disa detaje të përpjekjeve të ngjashme ndërmjetësuese nga i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme Amos Hochstein kanë qarkulluar javët e fundit, detajet e plota të propozimit me shkrim francez të dorëzuar në Liban nuk janë raportuar më parë.
Plani me tre hapa
Plani me tre hapa parashikon një proces 10-ditor të de-përshkallëzimit që përfundon me negociatat për kufirin. Një burim diplomatik francez i tha Reuters tha se propozimi i ishte bërë qeverive të Izraelit, Libanit dhe Hezbollahut. Plani propozon se grupet e armatosura libaneze dhe Izraeli do të ndërpresin sulmet kundër njëri-tjetrit, duke përfshirë sulmet ajrore izraelite në Liban. Propozimi kujton një armëpushim që i dha fund një lufte midis Hezbollahut dhe Izraelit në vitin 1996, si dhe rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i dha fund luftës së vitit 2006.
Plani parashikon tre hapa gjatë 10 ditëve. Sipas planit, të dy palët do të ndërpresin operacionet ushtarake në hapin e parë. Brenda tre ditësh, hapi i dytë parashikon që grupet e armatosura libaneze të tërhiqnin forcat luftarake të paktën 10 km në veri të kufirit dhe Libani do të fillonte dislokimin e ushtarëve në jug.
Si hap i tretë, brenda 10 ditëve, Libani dhe Izraeli do të rifillonin negociatat për përcaktimin e kufirit tokësor "në mënyrë graduale" dhe me mbështetjen e forcës paqeruajtëse të OKB-së UNIFIL. Ata gjithashtu do të angazhohen në negociata për të siguruar krijimin e një zone të lirë nga çdo grup i armatosur joshtetëror midis kufirit dhe lumit Litani.
Hezbollahu ka sinjalizuar më parë se mund të mbështesë shtetin që negocion një marrëveshje me Izraelin për të zgjidhur statusin e zonave të diskutueshme në kufi në dobi të Libanit. Një nga çështjet që duhet trajtuar është financimi për ushtrinë libaneze, e dobësuar rëndë nga një krizë e rëndë financiare në Liban. Propozimi kërkon një përpjekje ndërkombëtare për të mbështetur vendosjen e ushtrisë libaneze me "financim, pajisje, trajnim".
Lajmi kryesor: