Administrata e Donald Trump planifikon të njoftojë aleatët e NATO-s se Shtetet e Bashkuara do të reduktojnë ndjeshëm kapacitetet ushtarake që do të vendosin në dispozicion të vendeve europiane në rast krizash apo konfliktesh të mëdha, raportoi Reuters duke cituar tre burime që kanë njohuri të planit.
Sipas raportimit, vendimi lidhet me të ashtuquajturin “Model i Forcës së NATO-s”, përmes të cilit vendet anëtare përcaktojnë forcat që mund të aktivizohen në rast lufte apo sulmi ndaj një vendi të aleancës. Burimet thanë se Pentagoni ka vendosur të ulë ndjeshëm angazhimin amerikan në këtë strukturë.
Reuters shkruan se Trump po i shtyn vendet europiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit dhe ky konsiderohet si një hap konkret në zbatimin e kësaj politike. Detajet e plota ende nuk janë bërë publike, por sipas burimeve, plani pritet të diskutohet në takimin e shefave të politikave të mbrojtjes në Berlin këtë të premte.
Shefi i politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, ka deklaruar publikisht se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin mbrojtjen e tyre bërthamore për të mbrojtur anëtarët e NATO-s, edhe nëse vendet europiane marrin drejtimin e forcave konvencionale.
Reuters shkruan se tensionet brenda NATO-s janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, pasi disa vende europiane kanë frikë se Uashingtoni mund të tërhiqet gradualisht nga angazhimet e tij ushtarake në Europë.
Në javët e fundit, administrata Trump ka njoftuar edhe plane për të larguar rreth 5 mijë trupa amerikane nga Europa, përfshirë anulimin e vendosjes së një brigade ushtarake në Poloni, një vendim që ka shkaktuar reagime të forta edhe në Kongresin amerikan.
Raporti përmend gjithashtu tensionet mes Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili ka kritikuar politikën e presidentit amerikan ndaj Iranit, si edhe debatet e fundit për Grenlandën, që sipas Reuters kanë shtuar përplasjet transatlantike.
Nga ana tjetër, aleatët europianë kanë deklaruar se po rrisin me shpejtësi investimet dhe kapacitetet ushtarake, por pranojnë se zëvendësimi i rolit amerikan në mbrojtjen e Europës nuk mund të realizohet brenda natës.
Komente










Trump do te ktheje mllefin personal qe ka per Europen dhe NATO-n, e cila me te drejte reagoi ne menyre teper korrekte politikisht duke mos i mbeshtetur lajtitjet e tij anti humane dhe idjote qe fundi fundit shkaterruan USA-n duke e katandisur ne palaco te paafte ne rang boteror dhe diplomacine nderkombetare.
Përgjigju