Gjykata e Posaçme dha vendimin për dosjen e bujshme “Revanshi”, me 12 të pandehur, mes tyre emra të njohur të botës së krimit, Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi. GJKKO dha një dënim me një total prej 78 vite e 4 muaj burgim, pas reduktimit me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dosja përfshin disa episode të dyshuara të planifikimit të vrasjeve me disa objektiva.
Dënimet më të larta, me nga 10 vite burg, u caktuan për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin. Të dy u shpallën fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve të Durim e Valter Bamit, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për këtë vepër, gjykata i dënoi fillimisht me nga 8 vite burgim, ndërsa pas bashkimit të dënimeve për veprat e tjera penale, masa u caktua në 15 vite për secilin. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u reduktua në 10 vite burg.
Në të njëjtën dosje, Gjergji Cukali u dënua me 8 vite burg, ndërsa Besian Xhixha, Enver Diva dhe Viktor Imeraj me nga 6 vite e 8 muaj. Blerim Abazi, Robert Laçi dhe Satilno Basho u dënuan përkatësisht me 6 vite burgim, Naim Stafuka me 5 vite dhe Xhelal Rraja me 4 vite. Ndërsa Miri Bruli u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim, por gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi, pasi kishte vuajtur një kohë më të gjatë se masa e dënimit të caktuar.
Dosja “Revanshi” përfshin disa episode të dyshuara të planifikimit të vrasjeve, ku objektiva ishin emra të njohur të botës së krimit në Shqipëri. Mes episodeve të hetuara janë planet për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, Preng Gjinit, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit, Elvis Gacajt, Altin Gegës, Fatmir dhe Armando Hysenit, si dhe Arben Ndokës. Përveç akuzave për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, hetimet përfshinë edhe pjesëmarrjen apo organizimin e grupit të strukturuar kriminal, armëmbajtjen pa leje, komunikimet për organizimin e veprimtarive kriminale nga burgu, futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Përmes operacionit “Revanshi” në maj 2024 u goditën 7 grupe kriminale që dyshohej se vepronin në disa qytete të vendit, mes tyre Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak dhe Rrëshen. Gjatë operacionit u arrestuan 20 persona, ndërsa u kërkua arrestimi i 51 të dyshuarve. Në kontrollet e kryera u sekuestruan rreth 3 milionë euro CASH, ar, bizhuteri e pasuri të tjera, me një vlerë prej rreth 4.5 milionë eurosh. Hetimi u mbështet edhe në analizimin e komunikimeve në aplikacionin e koduar “SkyECC”, përmes të cilave, sipas SPAK, u zbuluan lidhje dhe bashkëpunime mes grupeve të ndryshme kriminale.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento