Kriza në futbollin italian u thellua pas humbjes së kombëtares së kaltër në Bosnje Hercegovinë, duke sjellë një valë dorëheqjesh në nivelet më të larta drejtuese. Pas largimit të presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, dorëheqjen e ka njoftuar edhe kreu i delegacionit të Italisë, legjenda Gianluigi Buffon.

Ish-portieri ikonë i Italisë bëri të ditur se kishte menduar të largohej menjëherë pas disfatës në Zenica, por kishte pranuar të priste me kërkesë të drejtuesve të tjerë për të reflektuar mbi situatën.

“Dorëheqja një minutë pas përfundimit të ndeshjes kundër Bosnjës ishte një akt urgjent, një akt që erdhi nga thellësia e shpirtit tim. Po aq spontan sa lotët dhe dhimbja në zemrën time që e di se e ndaj me të gjithë ju. Tani ndihem i lirë të marr këtë vendim si një akt përgjegjësie”, deklaroi Buffon, duke pranuar se objektivi kryesor, rikthimi i Italisë në Kupën e Botës 2026 nuk u arrit.

Në reagimin e tij, Buffon theksoi se, pavarësisht dështimit sportiv, është bërë një punë e rëndësishme në ndërtimin e frymës së grupit, në bashkëpunim me stafin dhe trajnerin Gennaro Gattuso. Ai nënvizoi gjithashtu përpjekjet për të krijuar një strukturë më të fortë, duke lidhur ekipet e moshave me kombëtaren e parë dhe duke investuar në zhvillimin e talenteve të rinj.

“Është e drejtë t’u lëmë atyre që vijnë pas meje lirinë për të zgjedhur personin më të përshtatshëm për këtë rol. Objektivi kryesor ishte të rikthenim Italinë në Kupën e Botës. Ne nuk ia dolëm”, shtoi ai, duke e konsideruar largimin si një hap të domosdoshëm për të hapur një cikël të ri.

Dorëheqjet në krye të futbollit italian vijnë në një moment kritik, duke rritur presionin për reforma të thella dhe një riorganizim të plotë të strukturave, me synimin për rikthimin e Italisë në elitën botërore të futbollit. Edhe trajneri Gennaro Gattuso pritet të japë dorëheqjen, teksa u pa në lot pas eliminimit të Italisë nga faza play-off e Kupës së Botës.