Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit financiar dhe teknologjik, ndërsa vendi po kalon nga dixhitalizimi bazë drejt “bankingut të hapur”, pagesave më të shpejta dhe afrimit me standardet europiane financiare. Kështu e përshkruan “Fintech Times” tregun shqiptar në një analizë për zhvillimet fintech dhe digjitale në vitin 2026.

Fintech Times” shkruan se Shqipëria nuk është më thjesht një treg që po përpiqet të arrijë ritmin e vendeve të tjera, por po hyn në fazën e ndërtimit të një infrastrukture moderne financiare, me fokus te “bankingu i hapur”, pagesat e shpejta dhe afrimi me standardet europiane. Sipas analizës, kjo e bën Shqipërinë një nga tregjet e vogla fintech më interesante në Europën Juglindore.

Analiza thekson se ky transformim nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por edhe me modernizimin ekonomik dhe procesin e integrimit europian. Sipas të dhënave të Bankës Botërore të cituara nga media britanike, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë ka kaluar 27 miliardë dollarë në vitin 2024, ndërsa PBB për frymë vlerësohet rreth 11,378 dollarë.

Një pjesë e rëndësishme e analizës fokusohet te “bankingu i hapur”. “Fintech Times” shkruan se Banka e Shqipërisë e ka cilësuar veten si një pionere rajonale në këtë fushë pas reformave të ngjashme me PSD2, standardi europian për bankingun e hapur. Në nëntor 2024 u dha edhe licenca e parë për “bankingun e hapur”, zhvillim që analiza e konsideron si një kthesë praktike dhe jo vetëm rregullatore.

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë në vitin 2025, i cituar në analizë, konfirmon se transaksionet e para mes ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe bankave janë realizuar gjatë tremujorit të parë të vitit të kaluar, duke e bërë funksional sistemin e “bankingut të hapur”.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte hyrja e Shqipërisë në zonën SEPA në nëntor 2024. Sipas analizës, ky hap e afron sistemin shqiptar të pagesave me tregun europian, ndërsa pagesat elektronike u rritën me 24% gjatë gjysmës së parë të vitit të kaluar, të nxitura nga përdorimi më i madh i kartave dhe pagesave online.

“Fintech Times” ndalet edhe te projekti për ndërtimin e një sistemi kombëtar pagesash të menjëhershme. Në janar 2025 nisi zhvillimi i një platforme të bazuar në modelin europian TIPS, sistemi që mundëson transferta në kohë reale. Sipas analizës, kjo tregon se Shqipëria po përpiqet të ndërtojë një treg pagesash më të shpejtë, më të lirë dhe më të integruar me sistemin financiar europian, dhe jo thjesht të shtojë aplikacione mbi infrastrukturën ekzistuese.

Në analizë përmendet edhe deklarata e guvernatorit Gent Sejko, i cili ka theksuar se inovacioni teknologjik po transformon peizazhin financiar shqiptar duke zgjeruar shërbimet, nxitur përfshirjen financiare dhe krijuar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët.

Sipas “Fintech Times”, ekosistemi fintech në Shqipëri mbetet ende i vogël, por në rritje. Aktualisht vlerësohet se në vend operojnë rreth 22 kompani fintech, kryesisht institucione pagesash dhe paraje elektronike. Megjithatë, analiza thekson se sfida kryesore tashmë nuk është më futja e pagesave digjitale në treg, por përdorimi i tyre i përditshëm nga qytetarët, bizneset dhe ndërmarrjet e vogla.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të cituara në analizë, tregojnë se pagesat me karta përbënin rreth 67% të totalit të pagesave bankare gjatë vitit të kaluar, ndërsa pagesat me para elektronike po bëhen një tregues gjithnjë e më i fortë i sjelljes digjitale të konsumatorëve shqiptarë.

Në përfundim, “Fintech Times” arrin në konkluzionin se Shqipëria nuk është ende një histori e madhe europiane suksesi në fintech, por është qartësisht një treg që po hyn në fazën e tij të ardhshme: “bankingu i hapur” është tashmë funksional, integrimi me SEPA-n ka përparuar, sistemi i pagesave të menjëhershme po ndërtohet dhe përdorimi i pagesave elektronike është gjithnjë e në rritje.