Revolucioni i heshtur i tetraplegjikëve

Revolucioni i heshtur i tetraplegjikëve

Në këtë ditë gri e me shi, në karrocat e tyre u kishin zënë “pritë” politikanëve te Kuvendi. Sot e enjte, kush nuk e di që shumë prej politikanëve bëjnë paradën e veshjeve para telekamerave, por pa ndalur e pyetur tetraplegjikët për hallin që i ka bërë të dalin atje. Tetraplegjikët nuk dolën me gurë e molotov, as me britma e me të tjera mjete force, edhe pse mund ta kenë të gjithë dëshpërimin e botës për ta bërë. Heshtja, moslëvizja, pesha mbi karrocat me rrota, ishte forca që tërhoqi kryeministrin drejt tyre.

Pra, Edi Rama doli t’i takojë. “Je i vetmi njeri nga i cili presim një zgjidhje”, tha njëri prej tyre. “Kemi bërë shumë letra. I kam bërë edhe rekomande se prisnim ndonjë përgjigje. Asnjë nuk na ka kthyer përgjigje. Nuk duam të jetojmë më në kurriz të familjarëve, motrave, vëllezërve. Kemi bërë një mërrëveshje që në 2019, por askush nuk na dëgjon…”

“Nuk duam të jetojmë në kurriz të familjarëve…” A ka klithmë më të fortë e më dinjitoze se kjo! Në fakt askush nuk do të duhej të jetonte në kurriz të askujt, edhe pse shumë të shëndetshëm preferojnë ta bëjnë, por tetraplegjikët jo! Dolën para kuvendit të Shqipërisë për të bërë revolucionin e tyre të heshtur, pa dhunë e pa shumë fjalë.

Pastaj do të ishte mirë të kuptohej se kush nuk iu është përgjigjur dhe përse nuk e ka bërë deri tani. Ashtu siç shumë punë të tjera mbeten rrugëve të pazgjidhura sepse njerëz të administratës janë aty sepse duan të jetojnë në kurriz të shtetit, por pa ndihmuar ata që Shteti e ka për detyrë të ndihmojë.

Shqiptarët duhet të bëjnë një pakt urgjent me njëri-tjetrin, sidomos ata që kanë marrë në dorë detyra shtetërore në arsim, shëndetësi, e drejtësi: Të mos tolerojnë më parazitët që i janë ngjitur institucioneve duke penguar më të mirët e më të pëkushtuarit të punojnë. Si nëpër spitale, ku pavione të reja e moderne çalojnë nga banjo që nuk pastrohen, apo mjekë super të talentuar që janë peng disa infermierësh që lëvizin vetëm nëse shohin para’ nëpër duar. Njerëz në administratë që nuk lëvizin asgjë, nëse “shefi/ja” nuk interesohet! Politika e “ç’më duhet mua!” mund të jetë si ajo tenja që gërryen edhe një dru të lartë, të bukur e të fortë.

Tetraplegjikët sot para Kuvendit ishin si një llampë e ndezur ndaj një administrate që shpesh rezulton pa veshë, pa sy, pa zemër. Jemi një vend i vogël dhe zemrën e kemi patur përherë të madhe, ndaj nuk shkon, të ecim drejt progresit e perëndimit të shumëëndërruar e ta humbim atë rrugës. Tetraplegjikët para Kuvendit na lajmëruan sot se shumë prej nesh kanë humbur zemrën! Rifitimi i saj, do të ishte një revolucion!

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?