Rexhep Qosja: Fitorja e Albin Kurtit, shpresë për shqiptarët! Misioni, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Rexhep Qosja: Fitorja e Albin Kurtit, shpresë për shqiptarët! Misioni, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja  dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parakohshme dhe kriza e vlerave”, ku tregoi votën dhe besimin te Vetëvendosja. Sot, një ditë pas fitores se Albin Kurtit, profesor Qosja tregon pritshmërinë e tij nga një qeveri vetëvendosëse, duke folur edhe emër për emër për humbësit e këtyre zgjedhjeve, nga Mustafa te Thaçi e Haradinaj, por mbi të gjitha për fituesin real të zgjedhjeve në Kosovë, Shpresën!

Në fund profesor Rexhep Qosja në këtë intervistë ekskluzive, për dritare.net tregon besimin e palëkundur te bashkimi i trojeve, i kombit në një: “Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”

Rudina Xhunga: Profesor, ju e parashikuat këtë fitore të VV-së, ose thënë më mirë e orientuat votën, duke deklaruar pritshmëritë tuaja për VV-në. Si ndiheni sot, një ditë pasi ndodhi?

Rexhep Qosja: Si edhe shumë votues dhe qytetarë të Kosovës e ndiej veten shumë mire pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Dhe e ndiej veten shumë mire sepse zgjedhjet u zhvilluan dhe përfunduan me plotësimin e standardeve të larta të demokracisë. Kosova, me këto zgjedhje e dha një provë pjekurie politike që duhet të çmohet prej bashkësisë ndërkombëtare. E ndiej veten mirë, posaçërisht mirë, pse në këto zgjedhje fitoi partia, vlerat dhe meritat e se cilës i kam paraqitur në shkrimin e bërë publik pak ditë para zgjedhjeve. E fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti.

Rudina Xhunga: Profesor, sa rëndësi kanë këto zgjedhje për frymën që i sjellin Shqiptarisë?

Rexhep Qosja: Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit janë të rëndësishme, aktualisht dhe historikisht të rëndësishme, për arsye se botës shqiptare i sjellin shpresën për ndryshime të thella e të gjithanshme të gjendjes me krizë të thellë të vlerave politike, shoqërore, demokratike, kulturore, domethënë se sjellin shpresën për shërimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës nga pasojat e rënies së thellë morale të prodhuar prej politikës së deritashme.

Rudina Xhunga: Profesor, mesa duket fituan Albini dhe Vjosa, si frymë, por matematika e politikës mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës dhe Veselit? A do ta pranojë Kosova këtë?

Rexhep Qosja: Ju po thoni me të drejtë se fituan Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dhe njëkohësisht shprehni drojën se fitorja e LDK-së si parti e dytë në zgjedhje mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës. Sipas mendimit tim, roli qeverisës i kryetarit të LDK-së është i përfunduar. Dhe është i përfunduar për disa arsye: e para, për arsye se LDK-ja ia ka dhënë rolin e qeverisjes Vjosa Osmanit; e dyta, për arsye se Isa Mustafa është i rënduar politikisht prej disa veprimeve shumë të dëmshme që bëri në koalicionin me PDK-në dhe e treta, për arsye se është i rënduar fort prej korrupsionit, nepotizmin dhe konfliktit të interesit të ushtruar si bashkëqeverisës me PDK-në dhe si kryetar i LDK-së. Ai tani mund të bëjë vetëm një gjë: mund ta sabotojë dhe ta prishë koalicionin Vetëvendosje–LDK.

Rudina Xhunga: Humbja e Haradinajt, Limajt, Veselit, çfarë mesazhi është për ata që fituan luftën?

Rexhep Qosja: Fitorja e Vetëvendosjes dhe e LDK-së si parti e dytë, sidomos fitorja e Vetëvendosjes për Hashim Thaçin si kryendërtues i politikës së Kosovës pas krijimit të shtetit të Kosovës, për Ramush Haradinajn, për Kadri Veselin e për Fatmir Limajn është pësim e mësim i madh. Por, ata kanë treguar se mësimet nuk duan t’i mësojnë prandaj në shtetin e Kosovës janë sjellë si në shtëpinë e tyre private. Njeriu shtëpinë e vet e ruan dhe e merendon me kujdes, por këta shtëpinë e quajtur shteti i Kosovës e përdorën, e shpërdorën, e ç’merenduan dhe e plaçkitën pa mëshirë!

Rudina Xhunga: LDK-ja vetë dhe kreu Mustafa, çfarë mesazhi morën?

Rexhep Qosja: LDK-ja dhe kryetari i saj, Isa Mustafa, e morën këtë mesazh: fitoret politike mund të jenë edhe të dhuruara dhe fitoren si parti e dytë në këto zgjedhje LDK-së ia dhuruan Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj me pelegrinazhet e tyre LDK-iste dhe me amnistimin e tyre për të gjitha të bërat e të pabërat tridhjetëvjeçare të LDK-së në kurriz të Kosovës.

Rudina Xhunga: Shqipëria çfarë mësimi mori nga këto zgjedhje dhe cili është besimi juaj, a po e pret Shqiptarinë një fryme e re?

Rexhep Qosja: Ç’mësim mori Shqipëria nga zgjedhjet e parakohshme në Kosovë? Historia na mëson se shqiptarët shpejt nuk kanë pranuar të mësojnë prej pësimeve dhe mësimeve të njëri-tjetrit. Mjerisht.

Rudina Xhunga: Profesor ju kurrë nuk bëtë kompromise me parimet, jeni ndër të vetmit autoritete morale orientuese të këtij kombi! A besoni ju se erdhi dita? Siç qe slogani i VV-së, që shqiptaret të votojnë dhe udhëhiqen nga njerëz të mençur dhe sidomos që e duan kombin. Koha e sistemit, vidh e vrit, se të mbuloj unë, po merr fund!

Rexhep Qosja: A besoj se erdhi dita? Ky ishte një slogan premtues i gjetur me mend, që mund të besohet, ushtroi ndikim në vullnetin dhe vetëdijen e votuesve. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, megjithëse ka rreth vetes një numër të dukshëm burrash e grash me kulturë të shquar politike, me përgatitje profesionale, me nivel të dukshëm të gjykimeve politike, lejohem të them, edhe me gatishmëri e vullnet që pakursyeshëm të bëjnë më të mirat për Kosovën, për shqiptarët në përgjithësi, nuk do ta kenë lehtë. Prapë po e thërras në ndihmë historinë e cila na mëson se shqiptarët–opozitarë, qëllimeve më të mira jo rrallë s’ kanë ngurruar t’u vënë pengesa të ndryshme, të cilave vetëm dreqi dhe i biri do t’ua dinin prejardhjen dhe përmbajtjen. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti, me bashkëpunëtorët e bashkëpunëtoret e tij kanë përpara jo detyra politike po misione politike: që të reformojnë të gjithë përbërësit, domethënë të gjithë sektorët e jetës politike, shoqërore, administrative-shtetërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe kulturore, që ta bëjnë Kosovën shtet i të drejtës, që ta bëjnë Kosovën shtet social, në të cilin të gjitha dinjitetet do të jenë barabar të kujdesura e të siguruara. Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Dritare.net

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 08/10/2019 14:48

    E kam frigen,se Albini me LVV ka "fituar" humbjen e madhe, jo fitoren sic e kemi festuar keto dite.Sepse ne dialog mund te shkoje,edhe pse per dialog, te tjeret I caktjne nivelet e bisedimeve,jo ne.Mund te digjet thelle qe ne takimin e pare,kur Albini paraqet "trimrisht"problemet e domsdoshme dhe te arsyehsme kombetare e shteterore, qe duhet te kene prioritet per zgjidhje.me kete ata qe drejtojne bisedimet, mund ta hargjojne Albinin qe ne fillim.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja