Bashkia e Tiranës ka ngritur Magazinën e Emergjencave të qytetit, me një fond të veçantë ushqimesh dhe veshmbathjesh, të cilat do të shërbejnë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në raste emergjencash. Krybashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se qyteti mund të përballojë deri 300 raste problematike në raste emergjencash.

“Tirana është gjithmonë një hap përpara; po mendojmë për ditët e ftohta dhe me shi, kur mund të kemi emergjenca civile. Këto janë të pashmangshme dhe pavarësisht histerisë, as kryetari i Bashkisë, as Kryeministri apo kushdo tjetër nuk mundet ta ndalojë shiun apo të rregullojë infrastrukturën e keqndërtuar ndër vite, që janë kryesisht ndërtime pa leje buzë lumenjve apo në hapësira të tjera publike. Por, ajo që mund të bëjmë është që kur të vijë dita e keqe, të na gjejë të përgatitur”-thotë kryebashkiaku Erion Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për parandalimin e përmbytjeve në zonat pranë lumenjve.

“Përveç përgatitjes për emergjencat, të gjithë e kanë vënë re se gjatë verës kemi bërë punë në infrastrukturë, duke pastruar lumin e Lanës, kemi hequr qindra ton inerte, kemi pastruar kanalet e ujërave të zeza në pritje të shirave, te Lumi i Tiranës kemi bërë prishjet e fundit për të mbyllur barrierat e për t’u siguruar që në shirat e ardhshëm të mos kemi ujë që futet nëpër lagje. Do të vazhdojmë me prishjet e ndërtimeve pa leje, sidomos mbi kolektorë, për të dhënë edhe një mesazh që tahfmaja e një njeriu nuk mund të kthehet në fatkeqësi për 1 milionë të tjerë”- shprehet Veliaj

Magazina e Emergjencave të Tiranës do të shërbejë edhe si një vend ku mund të ruhen donacionet që ofrojnë qytetarët, bizneset dhe organizatat, të cilat do t’u shpërndahen më pas qytetarëve sipas nevojave.

[gallery]24403[/gallery]

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com