Edhe sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka përshëndetur rezolutën e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, të propozuar nga PD, ku thuhej se dënohet ndjekja penale e motivuar politikisht ndaj Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe Sali Berishës. Në një deklaratë për mediat, Blushi thotë se drejtësia është treguar selektive ndaj 3 liderëve të opozitës, duke hedhur akuza se gjithçka është bërë me urdhër të Edi Ramës për t'i eliminuar politikisht.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit
Partia e Lirisë përshëndet dhe mbështet plotësisht Rezolutën e 8-të për Shqipërinë të miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (IDU), që jo vetëm reflekton me realizëm dhe përgjegjësi situatën shumë të rëndë dhe krizën e thellë politike, institucionale dhe demokratike në vend, por shpreh shqetësimet në rritje të organizatës globale të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, në lidhje me zhvillimet dhe stanjacionin e procesit të integrimit europian të vendit.
Partia e Lirisë falenderon me mirënjohje IDU për mbështetjen ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe për denoncimin shumë të qartë ndërkombëtar të Narkoregjimit mafioz të Edi Ramës në lidhje me pengesat e qëllimshme që po i bën këtij procesi nëpërmjet kapjes dhe kriminalizimit të shtetit të çdo qelizë, farsave zgjedhore dhe përndjekjes politike të tre drejtuesve kryesorë të opozitës.
Kjo rezolutë përbën një thirrje të qartë për domosdoshmërinë e rikthimit sa më parë të Shqipërisë në shinat e shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale dhe integrimit të vërtetë europian, duke evidentuar me shqetësim të thellë degradimin e standardeve demokratike dhe kapjen e të gjitha institucioneve nga Edi Rama.
Sipas rezolutës, korrupsioni sistemik dhe mungesa e llogaridhënies në nivelet e larta të qeverisjes përbëjnë pengesë serioze për avancimin drejt Bashkimit Europian.
Në mënyrë të veçantë, Partia e Lirisë vlerëson theksin që rezoluta vendos mbi fenomenin shqetësues të drejtësisë selektive dhe ndjekjeve penale të motivuara politikisht ndaj liderëve të opozitës, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu.
Këto procese politike përbëjnë një precedent të rrezikshëm për demokracinë, pasi cenojnë parimin themelor të barazisë përpara ligjit dhe minojnë seriozisht besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.
Targetimi politik i liderëve të opozitës, Berisha, Meta dhe Mediu, në shkelje të standardeve të procesit të rregullt ligjor, dëshmon për një keqpërdorim të qëllimshëm të drejtësisë si instrument presioni, ndëshkimi dhe eliminimi politik nga Edi Rama.
Ne ndajmë plotësisht shqetësimin se këto praktika jo vetëm që dëmtojnë pluralizmin politik, por gjithashtu rrezikojnë seriozisht perspektivën europiane të Shqipërisë.
Mirënjohje e veçantë për delegacionin shqiptar, të kryesuar nga lideri i Partisë Demokratike dhe i opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha, për përfaqësimin në Forumin e IDU, si dhe për evidentimin e rastit “Meta” si një shembull skandaloz të shkeljes flagrante të lirive themelore, prezumimit të pafajësisë dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që mishërohen në praktikën kriminale dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës, ku dy orë pasi rrëmbehesh, arrestohesh dhe pasi "shpallesh fajtor” si terrorist në kafaz “me 5 yje”, pastaj fillon dhe "gjykohesh".
Partia e Lirisë mbështet plotësisht qëndrimin parimor se nuk mund të ketë integrim të vërtetë në Bashkimin Europian pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, pavarësi të institucioneve dhe një sistem drejtësie të paanshëm.
Partia e Lirisë mbetet e vendosur për të kontribuar në rikthimin e standardeve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, atyre kushtetuese dhe në ndërtimin e një shteti ligjor ku drejtësia nuk përdoret si armë politike dhe si mjet ndëshkimi e persekucioni politik, por si garanci për liritë dhe të drejtat e çdo qytetari.
Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve euro-atlantikë të vijojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet në Shqipëri, të dënojnë sulmet e Narkoregjimit ndaj pluralzimit dhe të mbështesin përpjekjet e opozitës shqiptare për domosdoshmërinë e rikthimit të demokracisë funksionale dhe të shtetit të së drejtës.
Vetëm përmes respektimit të këtyre parimeve themelore, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mund të garantohet e ardhmja europiane e vendit dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Lajmi kryesor:
Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë miraton rezolutën e propozuar nga PD: Ndjekjet penale ndaj Berishës, Metës e Mediut, të motivuara politikisht











