Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) ka miratuar një rezolutë të propozuar nga Partia Demokratike, përmes së cilës thuhet se integrimi është duke ecur me hapa të ngadaltë për shkak të korrupsionit dhe se në Shqipëri zhvillohen zgjedhje që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare.
Rezoluta dënoi ndjekjet penale të motivuara politikisht, siç evidentohej, ndaj Sali Berishës, Fatmir Mediut, dhe Ilir Metës.
"Shpreh shqetësim për 200,000 çështje gjyqësore të prapambetura dhe vonesa në gjykim prej 8–15 vitesh, krahasuar me 18,000 çështje dhe vonesa prej 3–4 vitesh para reformës;
Dënon presionin politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët nga Kryeministri; drejtësinë selektive; si dhe ndjekjet penale të motivuara politikisht, përfshirë ndaj Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatmir Mediut, në shkelje të procesit të rregullt ligjor", thuhet në rezolutë.
Nga paraburgimi, rezoluta u përshëndet edhe nga Ilir Meta i cili shkruan se rezoluta denoncon pengimin që po i bën Edi Rama vendit drejt Bashkimit Europian, përmes presionit politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët.
Meta falënderon edhe delegacionin e kryesuar nga Sali Berisha për evidentimin e rastit të tij në samitin e IDU në Zagreb, si shembull të shkeljes flagrante të lirive themelore e prezumimit të pafajësisë.
“Dy orë pasi rrëmbehesh, arrestohesh dhe pasi "shpallesh fajtor” si terrorist në kafaz “me 5 yje”, pastaj fillon dhe "gjykohesh"”, shkruan Meta në reagim.
Tekst i rezolutës është propozuar nga PD dhe pas është mbështetur dhe nga IDU, një organizatë e së djathtës, në një takim të së cilës ishte dhe Berisha në Zagreb.
Rezoluta e plotë
Duke rikujtuar angazhimin e Shqipërisë për integrimin euro-atlantik, anëtarësimin e saj në NATO, dhe duke rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin në European Union;
Duke marrë në konsideratë Raportin e V-Dem Institute (2026), që e klasifikon Shqipërinë si ‘autokraci elektorale’; gjetjet e OSCE/ODIHR dhe Transparency International (Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025: 39/100, me rënie prej 3 pikësh dhe 11 vendeve);
I shqetësuar nga moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mohimi i të drejtave kushtetuese të opozitës në Parlament;
Ky bashkim vendos si vijon:
1. Integrimi Europian
• Paralajmëron se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian praktikisht është ngadalësuar për shkak të pengesave nga qeveria, korrupsionit të përhapur sistemik, kapjes së shtetit dhe lidhjeve midis krimit të organizuar dhe niveleve më të larta të pushtetit;
• Dënon pengimin e vazhdueshëm të ndjekjes penale të korrupsionit në nivele të larta dhe abuzimet masive në prokurime publike, ndërkohë që shumica parlamentare socialiste mbron mungesën e llogaridhënies;
• Vëren hetimet që implikojnë ministra dhe zyrtarë të lartë në të gjitha nivelet, konfirmojnë korrupsionin sistemik që po ngadalëson integrimin në BE;
• Mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbi bazën e meritës, pa anashkaluar asnjë kriter;
2. Siguria dhe Rreziqet e Jashtme
• Paralajmëron se dobësimi i institucioneve e ekspozon Shqipërinë ndaj ndikimeve keqdashëse, veçanërisht nga Rusia dhe Kina; thekson infiltrimin e krimit të organizuar, kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike si rreziqe për pjesën juglindor të NATO;
• Shpreh shqetësim të thellë për kapjen e infrastrukturës strategjike digjitale, veçanërisht brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke përfshirë zyrtarë të lartë dhe persona me lidhje me krimin e organizuar, si dhe raste të raportuara të rrëmbimeve që përfshijnë zyrtarë dhe/ose biznesmenë;
• Thekson rreziqet ndaj sistemeve shtetërore, keqpërdorimin e të dhënave personale, ndërhyrjen në zgjedhje dhe cenimin e bashkëpunimit me NATO/BE;
• Bën thirrje për transparencë, hetime të pavarura dhe masa urgjente mbrojtëse;
• I bën thirrje vendeve të Ballkanit, anëtare të NATO-s, si dhe partnerëve, që të bashkëpunojnë përmes rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, me qëllim forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të pengimit politik, si dhe arritjen e ekonomive të shkallës;
3. Zgjedhjet
• Konstaton se zgjedhjet parlamentare nuk përmbushën standardet ndërkombëtare, dhe u karakterizuan nga keqpërdorimi masiv i burimeve shtetërore, zhdukja e kufirit shtet–parti, presioni/intimidimi ndaj votuesve dhe ndërhyrja e elementëve kriminalë;
• Bën thirrje për reformë konsensuale, zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, mbrojtje të pluralizmit dhe të drejtës për koalicione parazgjedhore, si dhe përmbysjen e ndryshimeve kushtetuese të njëanshme;
• Mbështet modelin e një qeverie kujdestare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme;
4. Drejtësia Selektive dhe Ndjekjet Penale të Motivuara Politikisht
• Shpreh shqetësim për 200,000 çështje gjyqësore të prapambetura dhe vonesa në gjykim prej 8–15 vitesh, krahasuar me 18,000 çështje dhe vonesa prej 3–4 vitesh para reformës;
• Dënon presionin politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët nga Kryeministri; drejtësinë selektive; si dhe ndjekjet penale të motivuara politikisht, përfshirë ndaj Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatmir Mediut, në shkelje të procesit të rregullt ligjor;
5. Reforma Territoriale
• Dënon reformat e njëanshme që minojnë konsensusin dhe mundësojnë kontrollin politik;
• bën thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse dhe të decentralizuar, në përputhje me standardet europiane;
Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë:
• Pohon se nuk mund të ketë përparim drejt Bashkimit Europian pa zgjedhje të lira, shtet të së drejtës dhe pluralizëm;
• U bën thirrje autoriteteve të ndalin pengesat, të rikthejnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës, si dhe të respektojnë rrugën euro-atlantike të Shqipërisë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Edhe sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka përshëndetur rezolutën e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, të propozuar nga PD, ku thuhej se dënohet ndjekja penale e motivuar politikisht ndaj Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe Sali Berishës. Në një deklaratë për mediat, Blushi thotë se drejtësia është treguar selektive ndaj 3 liderëve të opozitës, duke hedhur akuza se gjithçka është bërë me urdhër të Edi Ramës për t'i eliminuar politikisht.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit
Partia e Lirisë përshëndet dhe mbështet plotësisht Rezolutën e 8-të për Shqipërinë të miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat (IDU), që jo vetëm reflekton me realizëm dhe përgjegjësi situatën shumë të rëndë dhe krizën e thellë politike, institucionale dhe demokratike në vend, por shpreh shqetësimet në rritje të organizatës globale të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, në lidhje me zhvillimet dhe stanjacionin e procesit të integrimit europian të vendit.
Partia e Lirisë falenderon me mirënjohje IDU për mbështetjen ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe për denoncimin shumë të qartë ndërkombëtar të Narkoregjimit mafioz të Edi Ramës në lidhje me pengesat e qëllimshme që po i bën këtij procesi nëpërmjet kapjes dhe kriminalizimit të shtetit të çdo qelizë, farsave zgjedhore dhe përndjekjes politike të tre drejtuesve kryesorë të opozitës.
Kjo rezolutë përbën një thirrje të qartë për domosdoshmërinë e rikthimit sa më parë të Shqipërisë në shinat e shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale dhe integrimit të vërtetë europian, duke evidentuar me shqetësim të thellë degradimin e standardeve demokratike dhe kapjen e të gjitha institucioneve nga Edi Rama.
Sipas rezolutës, korrupsioni sistemik dhe mungesa e llogaridhënies në nivelet e larta të qeverisjes përbëjnë pengesë serioze për avancimin drejt Bashkimit Europian.
Në mënyrë të veçantë, Partia e Lirisë vlerëson theksin që rezoluta vendos mbi fenomenin shqetësues të drejtësisë selektive dhe ndjekjeve penale të motivuara politikisht ndaj liderëve të opozitës, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu.
Këto procese politike përbëjnë një precedent të rrezikshëm për demokracinë, pasi cenojnë parimin themelor të barazisë përpara ligjit dhe minojnë seriozisht besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.
Targetimi politik i liderëve të opozitës, Berisha, Meta dhe Mediu, në shkelje të standardeve të procesit të rregullt ligjor, dëshmon për një keqpërdorim të qëllimshëm të drejtësisë si instrument presioni, ndëshkimi dhe eliminimi politik nga Edi Rama.
Ne ndajmë plotësisht shqetësimin se këto praktika jo vetëm që dëmtojnë pluralizmin politik, por gjithashtu rrezikojnë seriozisht perspektivën europiane të Shqipërisë.
Mirënjohje e veçantë për delegacionin shqiptar, të kryesuar nga lideri i Partisë Demokratike dhe i opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha, për përfaqësimin në Forumin e IDU, si dhe për evidentimin e rastit “Meta” si një shembull skandaloz të shkeljes flagrante të lirive themelore, prezumimit të pafajësisë dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që mishërohen në praktikën kriminale dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës, ku dy orë pasi rrëmbehesh, arrestohesh dhe pasi "shpallesh fajtor” si terrorist në kafaz “me 5 yje”, pastaj fillon dhe "gjykohesh".
Partia e Lirisë mbështet plotësisht qëndrimin parimor se nuk mund të ketë integrim të vërtetë në Bashkimin Europian pa garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, pavarësi të institucioneve dhe një sistem drejtësie të paanshëm.
Partia e Lirisë mbetet e vendosur për të kontribuar në rikthimin e standardeve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, atyre kushtetuese dhe në ndërtimin e një shteti ligjor ku drejtësia nuk përdoret si armë politike dhe si mjet ndëshkimi e persekucioni politik, por si garanci për liritë dhe të drejtat e çdo qytetari.
Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve euro-atlantikë të vijojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet në Shqipëri, të dënojnë sulmet e Narkoregjimit ndaj pluralzimit dhe të mbështesin përpjekjet e opozitës shqiptare për domosdoshmërinë e rikthimit të demokracisë funksionale dhe të shtetit të së drejtës.
Vetëm përmes respektimit të këtyre parimeve themelore, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mund të garantohet e ardhmja europiane e vendit dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Nga paraburgimi, presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, përshëndeti rezolutën e Bashkimit Ndërkombëtar të Demokracisë, e cila dënoi ndjekjet penale të motivuara politikisht siç evidentohej, ndaj Sali Berishës, Fatmir Mediut, dhe vetë atij.
Përmes një reagimi në rrjetin social, Meta shkruan se rezoluta denoncon pengimin që po i bën Edi Rama vendit drejt Bashkimit Europian, përmes presionit politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët.
Ai thotë se në vendin tonë "pasi arrestohesh dhe pasi shpallesh fajtor si terrorist në kafaz me 5 yje, fillon dhe gjykohesh".
“Mirënjohje të thellë për Bashkimin Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU), organizatën globale të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, për vëmendjen e posaçme ndaj Shqipërisë dhe për miratimin e një rezolute të rëndësishme, e cila pasqyron me realizëm dhe përgjegjësi gjendjen e rënduar dhe krizën e thellë politike, institucionale dhe demokratike në vend.
Falënderim për mbështetjen ndaj integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për denoncimin e qartë të pengesave që Narkoregjimi i Edi Ramës i ka vënë këtij procesi, përmes kapjes dhe kriminalizimit të shtetit, farsave zgjedhore dhe përndjekjes politike të tre drejtuesve kryesorë të opozitës.
Mirënjohje e veçantë për delegacionin shqiptar, të kryesuar nga lideri i Partisë Demokratike dhe i opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha, për përfaqësimin në Forumin e IDU, si dhe për evidentimin e rastit “Meta” si një shembull skandaloz të shkeljes flagrante të lirive themelore, prezumimit të pafajësisë dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që mishërohen në praktikën kriminale dhe të papranueshme për një shtet të së drejtës, ku dy orë pasi rrëmbehesh, arrestohesh dhe pasi "shpallesh fajtor” si terrorist në kafaz “me 5 yje”, pastaj fillon dhe "gjykohesh", shkruan Meta.
Komente











