Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është pyetur se përse nuk është përmendur në tekstin e rezolutës së dakordësuar mes PS e PD për integrimin, çështja e Belinda Ballukut për të cilën opozutarët vijuan akuzat edhe në Kuvend se me mbrojtjen ndaj saj, u bllokua procesi i anëtarësimit.

Në konferencën për shtyp nga selia blu, Berisha tha se nëse Balluku do të përmendej me emër atëherë palët nuk do të arrinin një rezolutë të përbashkët. Por, kryedemokrati theksoi se çështja e ish-zëvendëskryeministres është nënkuptuar në çdo paragraf të rezolutës që u miratua në Kuvend me 114 vota pro.

“Në mënyrë absolute në atë rezolutë nga rreshti i parë tek i fundit, nuk shprehet asnjë vlerësim, edhe më i vogël qoftë për punën e parlamentit dhe të qeverisë në procesin e integrimit, siç mund ta konstatosh. Por, plotësisht dakord me ty. Meritonin edhe ato të ishin, por atëherë rezolutë nuk do kishte.

Ato janë me vetëkuptim në çdo paragraf. Lubi Balluku është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve. Olta Xhaçka është me vetëkuptim aty ku kërkohet zbatimi i vendimeve të institucioneve.  Roli qendror i parlamentit është trajtuar në disa paragrafe ku është kërkuar të merret sepse nuk ekziston.

Kërkesat ndaj qeverisë janë parashtruar sepse ajo nuk ka asgjë në atë fushë. Dhe në fund konkludohet që integrimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritë, ashtu siç ka kërkuar PD gjithnjë. Pra, është e vërtetë ajo që thoni, por është e vërtetë se me nënkuptim janë në çdo paragraf. Përndryshe nuk do kishte rezolutë”, tha Berisha.

Vetë Berisha, i cili hodhi një lumë kauzash gjatë ditës se procesi i integrimit u bllokua për shkak të Belinda Ballukut, e bojkotoi momentin e votimit dhe nuk e ngriti kartonin jeshil pro rezolutës së përbashkët për integrimin. Nga opozita, i vetmi që abstenoi ishte deputeti Bujar Leskaj. Ndërsa, kryeministri Edi Rama nuk ishte në sallë për shkak se dje udhëtoi drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të akordimit të Çmimit të Karlit të Madh.