Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka shkruar sot se miratimi me konsensusin e Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike të rezolutës për integrimin e Shqipërisë në BE, nuk dobëson asnjë krah politik, përkundrazi, forcon mbi të gjitha Shqipërinë.

Peleshi thotë se nuk është e drejtë ky polarizim politik në këto raste kaq të pakta konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa shton se miratimi i përbashkët ishte për të mbështetur jo vetëm me fjalë anëtarësimin e vendit në BE.

Rezoluta e përbashkët PS-PD u miratua dje në Kuvend pas 5 orëve debat për integrimin me 114 vota pro.

Postimi i Niko Peleshit

KONSENSUSI NUK ESHTË DOBËSI

Konsensusi ndërmjet forcave të mazhorancës dhe opozitës mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE ishte një ngjarje pozitive dhe shumë e rëndësishme për momentin ku ndodhet vendi ynë.

Shqipëria ka një karakteristikë unike ndër vendet aspirante, madje edhe ndër vendet anëtare të BE-së: të gjitha partitë politike, në mazhorancë apo opozitë, parlamentare apo joparlamentare, të mëdha apo të vogla, kanë në program si prioritet absolut anëtarësimin në BE. Pra, në Shqipëri nuk ka forca politike (apo shoqërore) euroskeptike.

Miratimi konsensual i rezolutës ishte rasti për ta mbështetur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, njëzëri, aspiratën tonë të përbashkët për anëtarësim.

Nga ana tjetër, ky konsensus duhet të mbështetet edhe nga opinioni mediatik, i cili, duam apo nuk duam, modelon opinionin e gjerë publik.

Në diskursin publik ekziston një frymë kritike ndaj polarizimit politik, me të drejtë, por është e padrejtë të analizohet “kush humbi” kur arrihet (fatkeqësisht jo aq shpesh) një konsensus.

Konsensusi për çështjet e mëdha kombëtare, që shkojnë përtej përfitimeve afatshkurtra politike, nuk dobëson askënd; përkundrazi, forcon si mazhorancën, ashtu edhe opozitën.

Mbi të gjitha, forcon Shqipërinë tonë