STRASBURG - Raportuesi për Shqipërinë në PE, Nikola Vuljaniç, ka paraqitur gjatë ditës së sotme në Komisionin e Jashtëm të këtij parlamenti, një rezolutë ku i bëhet thirrje Këshillit të ministrave të Bashkimit Europian që Shqipërisë t’i jepet Statusi i vendit kandidat.
 
Para anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të PE-së, Vuljaniç, i bën “thirrje Këshillit të njohë përparimin e Shqipërisë duke i dhënë asaj statusin kandidat”. Ashtu si dhe raportin e Progresit të paraqitur javën e shkuar nga Komisioni Evropian, edhe rezoluta e sotme e hartuar nga relatori Vuljaniç, njeh përparimet e bëra nga Shqipëria drejt përmbushjes së objektivave të integrimit dhe vecanërisht arritjen e reformave të kërkuara nga Brukseli.
 
Në rezolutë theksohet se ka ende shumë punë për t’u bërë nga autoritetet shqiptare, vecanërisht në reformën e administratës publike, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësisë së sistemit gjyqësor e pluralizmit të mediave. Sërish theksohet edhe nevoja e dialogut dhe konsensusit mes forcave politike.
 
Përpara se të miratohet nga Komisioni i Jashtëm e më pas nga Parlamenti Evropian, rezolutës mund t’i bëhen amendime nga europdeputetët. Nëse kjo rezolutë do të miratohet para muajit dhjetor do të jetë një plus për Shqipërinë.
 

Rezoluta pro shqiperise ne PE